Lirohet Kuqo i Beratit: në psikiatri, pa kujdestar
Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e avokatëve se i dënuari për vrasje vuan nga probleme mendore
I dënuari do të qëndrojë në spitalin psikiatrik të Vlorës në të njëjtat kushte me të gjithë pacientët e tjerë
VLORË - Gjykata e Apelit ka rikthyer dje Kuqon e Beratit në ambientet e spitalit psikiatrik të Vlorës, pa kujdestar, duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë për mbajtjen e tij në ambientet e spitalit të burgut. I shumëpërfoluri Aleksandër Kuqo është risjellë në Apelin e Vlorës. Vendimi është komunikuar nga treshja e gjyqtarëve Iliba Bezati, Mene Rexho e Sashenka Jonuzi.
"Liria" është dhënë pas kërkesës që kishte bërë Kuqo, së bashku me avokatin e tij, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier, e cila kishte vendosur qe Kuqo të qëndronte në spitalin e burgut në Tiranë.
Kërkesa
Prokurori i Apelit, Aleksandër Goga, që ndiqte këtë çështje nuk e ka pranuar këtë vendim dhe për këtë arsye ka kërkuar rekurs të vendimit. Seanca gjyqësore e mbajtur dje në Gjykatën e Apelit të Vlorës nënkupton se Kuqo, pavarësisht listës së gjatë të akuzave apo vendimit për dënimin e tij me 21 vjet burg, do të trajtohet si të sëmurët e tjerë mendorë në spitalin e Vlorës, pa kushte sigurie, të cilët mund të dalin lirisht nga porta e këtij spitali.
Pranë spitalit psikiatrik të Vlorës pohojnë se emri i tij njihet në këto ambiente, por nuk ka dosje, pasi janë vënë në dispozicion të prokurorisë.
Bluzat e bardha të Vlorës nuk pranojnë të prononcohen për qëndrimin e mëparshëm të këtij pacienti në ambientet spitalore, duke e justifikuar këtë me cënim të privatësisë së tij, ndërkohë që çështja "Kuqo", e cila shkarkoi një gjyqtar, ndërroi një trup gjykues, tashmë pritet të lakohet ende në shkallët e gjyqësorit, pas kërkesës së prokurorisë për rikthim të tij në kushte sigurie në spitalin e burgut.
Retrospektivë
Më datë 06.05.2006, strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Berat, vunë në pranga Aleksandër Kuqon,pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier kishte urdhëruar vendosjen e të dënuarit Aleksandër Kuqo në institucionin mjekësor, spitali psikiatriko - rajonal Vlorë për mjekim të detyruar.
Ky shtetas, po me vendim të kësaj gjykate, ishte dënuar me 21 vjet burgim, në njohje të vendimit të gjykatës penale Milano Itali, datë 25.10.1999, e cila e kishte dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat e "vrasjes me paramendim", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake" dhe "trafikimit të femrave për prostitucion".
Në momentin e arrestimit të tij në vitin 2006 dhe shoqërimit, sipas burimeve zyrtare të policisë, ky shtetas ka kryer rezistencë fizike ndaj punonjësve të policisë.
Po sipas bluve, gjatë kohës që ishte në liri ai kishte qëndruar në Berat dhe Fier e ishte marrë me biznes privat. Në lagjen "Uznovë" të Beratit, Kuqo kishte në bashkëpronësi një fabrikë vere, si dhe disa dyqane e objekte të tjera. "Veprimet e kryera nga ky shtetas gjatë kësaj kohe nuk të lënë të kuptosh se ai vuan nga ndonjë sëmundje psikike", u shprehën blutë pas arrestimit.
Ndërkohë, avokatët e Kuqos kanë kërkuar lirimin e tij si i sëmurë. Gjykata e Apelit ka marrë parasysh raportin mjekësor të lëshuar nga spitali psikiatrik, duke pranuar kërkesën, ndërsa Prokuroria e Apelit Vlorë pritet të kryejë ankimimin ndaj këtij vendimi.