Plagoset me thikë, i zënë pritë rrugës për në spital
Ervis Uruçi është plagosur dy herë gjatë mbrëmjes së të martës ndërsa ka deklaruar se nuk i njeh autorët
ELBASAN - E plagosin me thikë dhe niset për në spital që të mjekohet, por gjatë rrugës persona të tjerë i dalin përpara duke i dhënë goditje të tjera me armë të ftohtë. Ervis Uruçi ka rënë dy herë pre e kundërshtarëve të tij të cilët e kanë plagosur, por fatmirësisht duke shpëtuar. Teksa është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore, 28-vjeçari ka deklaruar se nuk i njihte ata që e qëlluan, por burime nga policia thonë se dy episodet kanë të njëjtën pikë të përbashkët: sherr për një femër.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00 të së martës, kohë në të cilën policia e Elbasanit është lajmëruar për një të plagosur me thikë në qendër të lagjes "Skënderbej'. Burime zyrtare të bluve shprehen se në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë të cilat, pasi e kanë gjetur të gjakosur, e kanë transportuar për në spital.
Mësohet se Ervis Uruçi fillimisht është qëlluar me thikë nga një person i paidentifikuar, duke marrë kështu një plagë. Por teksa është nisur për në spital, 28-vjeçarit i kanë dalë përpara katër vetë me një automjet tip "Alfa" ngjyrë gri, me targa italiane, të cilët i kanë prerë rrugën. Ata kanë zbritur nga makina dhe e kanë qëlluar sërish të riun me thikë dhe më pas janë larguar duke e lënë të përgjakur në mes të rrugës.
Pas transportit në spital, mjekët u shprehën se fatmirësisht armët e ftohta të përdorura nuk kishin prekur organet jetësore të Uruçit. Ata deklaruan se gjendja shëndetësore e të riut u normalizua brenda disa orësh dhe ai mund të konsiderohet jashtë rrezikut për jetën.
Teksa ka dalë jashtë rrezikut për jetën, Ervis Uruçi është marrë në pyetje nga agjentët e policisë gjyqësore për të dhënë variantin e tij të ngjarjes, por edhe për të identifikuar autorët. Por 28-vjeçari nuk ka dhënë asnjë detaj duke u shprehur se nuk i njihte personat që e kishin qëlluar dhe nuk kishte dijeni për arsyet që kishin çuar në veprime të tilla. Dyshimet e para ishin se sulmi mund të kishte lidhje me të shkuarën e Uruçit, i cili ka qenë i dënuar më parë për "vjedhje".
Por pas hetimeve të para, burime nga policia shprehen se dyshohet që shkak të ketë qenë një konflikt për një femër. Gjithashtu, katër personat që kanë dalë nga makina dhe i kanë prerë udhën 28-vjeçarit kur po shkonte në spital, kanë qenë shokë të njeriut që e ka qëlluar fillimisht. Ndaj tyre është ngritur akuza e "plagosjes me dashje të kryer në bashkëpunim", ndërsa policia është vënë në kërkim të autorëve.