Tenton vetëvrasjen 27-vjeçari
ELBASAN - Një 27-vjeçar ka tentuar t'i japë fund jetës duke konsumuar helm. Fatjon Hysa, 27 vjeç, me banim në lagjen "Skënderbej" është dërguar me shpejtësi në spital, pasi gjendja e tij ishte tepër e rëndë. Mësohet se pasi ka marrë mjekimin, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas të dhënave të para nga policia, i riu e ka pirë helmin kur ishte vetëm në shtëpi.
Deri tani nuk deklarohet asnjë shkak për vetëvrasjen e të riut. Gjithsesi mësohet se depresioni mund ta ketë arsyen nga një zhgënjim dashurie. Rastet e vetëvrasjeve në Elbasan janë të larta dhe kryesisht viktimat janë femra. B.Nergjoni
Riaktivizohet zjarri i rënë në Pukë
SHKODËR - Zjarri i shfaqur pasditen e së shtunës në rrethin e Pukës dhe i shuar gjatë mesnatës është riaktivizuar në mesditën e së dielës duke u përhapur në një sipërfaqe pyjore me dru pishe.
Sipas burimeve nga prefektura Shkodër, zjarri i rishfaqur të dielën rreth orës 16:00, mendohet se është vazhdim i vatrës së zjarrit që përshkoi një ditë më parë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore pranë fshatrave Tuç e Lumbardhë. Zjarri i së dielës është në afërsi të Lumbardhit dhe në një terren malor.
Zjarrfikëset e Pukës dhe nga Shkodra, së bashku me punonjës të ndërmarrjes pyjore, si dhe banorë janë duke u përpjekur për shuarjen e tij. Sipas nënprefektit të Pukës, Dedë Përshpali , i cili ndodhet pranë vatrës së zjarrit, po punohet me të gjitha mjetet që të pengohet përhapja e tij dhe afrimi drejt banesave.
Zjarri është i fuqishëm dhe ndihmohet nga era e lehtë. Sipas specialistëve të mbrojtjes kundër zjarrit, po bëhen përpjekje për ta vënë nën kontroll situatën, duke u kujdesur dhe për parandalimin e ndonjë asfiksie të mundshme tek personat e angazhuar për shuarjen e tij. Nuk dihen shkaqet e rënies së këtyre zjarreve, ku nuk është e përjashtuar as zjarrvënia e qëllimshme.