E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhjet e natës, rriten shifrat e hajdutëve në Durrës

24/03/2009  Në çdo 24 orë mbërrijnë mesatarisht në polici 7-8 denoncime

Policia në “ngërç”, shumica e autorëve janë minorenë

DURRES- Rritet numri i rasteve të vjedhjeve të lokaleve dhe banesave në lagjet e qytetit të Durrësit. Mesatarisht në 24 orë në sallën operative të policisë mbërrijnë 7-8 telefonata për denoncimin e vjedhjeve apo tentativave për vjedhje. Shërbimet e gatshme kanë mundur të kapin në kushtet e flagrancës shumë të implikuar në këtë aktivitet që përbën vepër penale, por fakti se një pjesë e hajdutëve janë minorenë e zbeh së tepërmi goditjen e rasteve. Burime policore dëshmojnë se të mitur, fëmijë të braktisur dhe të tjerë në vështirësi ekonomike familjare shfrytëzohen nga persona ordinerë me të kaluar të dyshimtë apo të kaluar kriminale. Fëmijët vendosen në “skalionin e parë”, ndërsa shtytësit e vjedhjeve të banesave, restoranteve, dyqaneve dhe enteve shtetërore rinë të tërhequr për t’u shpëtuar prangave. Shqetësimi i rritjes së kriminalitetit të vjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Të tre institucionet e mësipërme e kanë cilësuar aspak të qetë situatën lidhur me rastet e vjedhjeve, pasi numri i tyre ka ardhur gjithnjë në rritje pavarësisht rritjes së shkallës së zbulimit dhe të ndëshkimit. Më shumë se 350 raste vjedhjesh kanë ndodhur në vitin e kaluar, duke detyruar policinë të hapi dosje, ndërsa të tjera kallëzime nuk e kanë kaluar pragun për në gjykatë pasi nuk është bërë e mundur gjetja e provave materiale apo akuza ndaj autorëve të dyshuar. Një sërë operacionesh siç është ai së fundi i koduar “Bregdeti” apo edhe të tjera kanë rezultuar se hajdutët në të shumtën e rasteve janë fëmijë, kurse autorët e vërtetë qëndrojnë në vëzhgim për të mos rënë në prangat e policisë. Shtëpitë e banimit janë më të ndëshkuarat ngase hajdutët përmes thyerjes kanë marrë para, orendi, pajisje elektroshtëpiake, bizhu etj. Pas tyre vinë lokalet e të gjitha llojeve edhe ato të lojërave të fatit në të cilat vidhen kasat e pajisjet. Qyteti i Durrësit është i frikshëm edhe për pronarë të mjeteve. Mesatarisht 7-8 autovetura vidhen në javë në qytetin bregdetar duke përfunduar në pika servisi e varreza automjetesh. Vjedhjet kryhen zakonisht në zona periferike si në Currila, Spitallë, Shkozet, lagjen 17 e lagjen 18, Plazh, Arapaj etj. Ndonëse edhe në këto pjesë të Durrësit patrullimi është i dukshëm dhe i ndejshëm, është e pamundur kapja e autorëve në kushtet e flagrancës. Xh. Gradica

KUSH QËNDRON PAS...

Më shumë se 350 raste vjedhjesh kanë ndodhur në vitin e kaluar, duke detyruar policinë të hapi dosje, ndërsa të tjera kallëzime nuk e kanë kaluar pragun për në gjykatë, pasi nuk është bërë e mundur gjetja e provave materiale apo akuza ndaj autorëve të dyshuar. Një sërë operacionesh siç është ai së fundi i koduar “Bregdeti” apo edhe të tjera kanë rezultuar se hajdutët në të shumtën e rasteve janë fëmijë, kurse autorët e vërtetë qëndrojnë në vëzhgim për të mos rënë në prangat e policisë. Shtëpitë e banimit janë më të ndëshkuarat ngase hajdutët përmes thyerjes kanë marrë para, orendi, pajisje elektroshtëpiake, bizhu etj. Pas tyre vinë lokalet, ndërsa Durrësi është i frikshëm edhe për pronarë të mjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›