E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreh për vdekje nënën 86-vjeçare, arrestohet 70-vjeçari

24/03/2009  Dhuna me mjete të forta për shkak se gruaja nuk miratonte shitjen e një toke buzë rrugës

Dëshmia në shtratin e spitalit: Kishte pirë dhe më rrahu me çfarë gjeti

ELBASAN-Nëna përfundon e gjakosur dhe e nxirë në spital e keqtrajtuar nga i biri. Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Katund i Ri në periferi të Elbasanit mbrëmjen e djeshme. Një e moshuar është gjendur nga fqinjët e saj në gjendje mjaft të rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Prene Totoshi, 86 vjeç, lindur në Zavalinë dhe banuese në fshatin Katund i Ri ka pësuar hematoma të shumta dhe ndodhet në gjendje të rënduar në reanimacion. Në prangat e policisë ka rënë i biri i saj Isak Tatoshi, 70 vjeç, i cili dyshohet si autor këtij krimi. Sipas të dhënave të para, 70-vjeçari kishte konsumuar alkool dhe e ka rrahur me çfarë ka mundur nënën e tij të moshuar. Ndërkohë burime të tjera dhe nëna e tij në fjalët e saj e akuzon se i biri kërkonte ta detyronte të nënshkruante një kontratë shitje për një pjesë toke buzë autostradës, të cilën ajo e kishte në pronësi. Në dëshminë e saj nëna 86-vjeçare thotë se pasditen e së hënës djali ka shkruar në shtëpinë e saj ku ajo jetonte e vetme dhe dukej i pirë. “Më ka rrahur djali i vetëm 70 vjeç. Më gjuajti me shkelma e grushte duke më la për tokë. Më pas mori një vegël pune në oborr dhe më gjuajti edhe me të. Më kërkonte lekë. Gjithmonë më ka rrahur, por këtë herë më sakatoi. Jam edhe plakë e një fije shpirt”. Në shtratin e spitalit e vetme, Prenja thotë se ajo ka ardhur nga Zavalina e është vendosur në Katund të Ri. Djali i saj jeton në qytet dhe është ndarë nga ajo. Kohët e fundit ai ka shkuar shpesh ta vizitojë duke i bërë kërkesën e radhës për të firmosur shitjen e tokës. Kur kjo e fundit nuk ka pranuar ta hedhë firmën, atëherë ai është hakmarrë duke e rrahur për vdekje. Askush nuk i rri afër në shtrat veç personelit mjekësor të spitalit. Policia ka ndaluar 70-vjeçarin dhunues të nënës, i cili do të përgjigjet tashmë nga qelia për veprimin e tij. Gjithashtu është duke u verifikuar pista që deklaron e moshuara për përdorimin e alkoolit nga ai si edhe për firmën e shumë kërkuar për të përfituar nga nëna e moshuar paratë e tokës që kërkonte të shiste. Ngjarja është konsideruar mjaft e rëndë jo vetëm për moshën e të dëmtuarës, por edhe për moshën e autorit të këtij krimi. Ai është 70 vjeç dhe është baba i 3 vajzave. Gruaja e ka sjellë në jetë në moshën 16 vjeç, por asnjëherë nuk do të mendonte që fëmija i vetëm do ta keqtrajtonte në këtë mënyrë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›