E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ana, një vlonjate në Amerikë

Dy ditë pasi kishim mbërritur në Nju
Jork, Ana Kohen, dhe i shoqi,
Markus, na ftuan për darkë. Shkuam
me makinë, buzë oqeanit. "Këtu
është një shëtitore e bukur, ku ne na
pëlqen të vijmë shpesh. Ka shumë gjallëri,
si dhe restorante ku gatuhet mjaft mirë",
tha Ana. Dhe, ishte një vend vërtet
tërheqës, ku dhjetëra restorante ruse
ndiqnin njëri-tjetrin, të gjithë me pamje
nga deti. "Vij këtu, sepse kjo shëtitore më
kujton atë të Vlorës, në Ujë të Ftohtë", shtoi
e ngashëryer ajo. Mbasi u ulëm,
shikuam menytë dhe pastaj, Ana porositi
duke folur rusisht. E di rusishten ti? - e
pyeta unë i habitur. "Po, unë e kam studiuar
në shkollë, në Vlorë dhe e mbaj mend
mirë. E, përveç kësaj, kam qenë nxënëse e
shkëlqyer dhe gjuhët e huaja më pëlqenin",
tha Ana duke qeshur, pa e fshehur
me të drejtë krenarinë. Nisëm të shijonim
specialitetet ruse. Unë, si hyrje, mora
"borsh", një supë, emrin e së cilës e
mbaja mend qysh nga adoleshenca,
atëherë kur kisha lexuar librin "Vegjëlia
ime" të Maksim Gorkit. Dhe,
teksa darkonim, kalonim nga një
bisedë në tjetrën, edhe pse i shoqi i
Anës nuk dinte shqip. Por, ajo bënte
përkthyesin dhe biseda, ecte pa
ndonjë vështirësi të madhe. Markus
është izraelit polak. Një tip i heshtur
në dukje, sqimatar, por tepër inteligjent
dhe vëzhgues i mprehtë. Historia
e familjes së tij është e dhimbshme, si
shumica dërmuese e hebrenjve që përjetuan
shoah-un nazist, krimin më të pashembullt
në historinë e njerëzimit.
Prindërit e tij u zhdukën në kampet naziste
të shfarosjes. Vetë Markus i kishte
shpëtuar vdekjes për mrekulli. Ai ishte i
vogël kur gjermanët bastisnin shtëpitë
dhe rrëmbenin çdo hebre, për t‘i çuar drejt
vdekjes. Markusin e vogël e fshehu një
familje polake. Nazistët erdhën dhe kontrolluan
me imtësi. Të zotët e shtëpisë e
kishin vënë atë që të flinte me fëmijët e
tyre. Dhe vogëlushi i pafajshëm, Markus,
shpëtoi. Pse? Ngaqë ishte biond. Nazistët,
kur panë që ata flinin ngjeshur njëri pas
tjetrit, të gjithë në një shtrat e kokëbardhë,
menduan se ishin fëmijët e një familjeje.
Por, vëllai i tij, i cili ishte brun, nuk i shpëtoi
dot vdekjes. Ai u zhduk pa lënë gjurmë,
bashkë me të tjerët. Në fytyrën, sytë e
gjestet e Markusit, edhe sot e kësaj dite,
edhe pse kanë kaluar dekada vitesh, fshihet
e dukshme drama e asaj ngjarjeje të
llahtarshme e të kobshme. Pas darke,
bëmë një shëtitje buzë oqeanit. Era e
freskët dhe nata e ndriçuar nga një hënë e
zbehtë, të bënin të bije në mendime. Nuk
e kisha menduar kurrë se, një ditë, do të
mund ta takoja Anën. Me të, mbaja kontakte
të shpeshta nëpërmjet internetit e
kjo gjë, më gëzonte së tepërmi. Dhe kisha
arsye pse ta ndjeja veten të gëzuar e madje
edhe të privilegjuar. Kjo gjë, për shumë
arsye. Së pari, e mbi të gjitha, sepse jo
vetëm që jemi të dy vlonjatë, por madje
edhe nga një lagje. Të dy kemi lindur në
"Vrenez", në një prej lagjeve më të vjetra
të Vlorës, ku jetonin një varg familjesh fisnike
e mjaft të nderuara të qytetit. Kam
qenë në moshë të vogël, por e mbaj mend
fare mirë të bukurën Ana, vajzën e lagjes
sime. E kujtoj si tani, atëherë kur dilte nga
"Rrugica e Izraelitëve", për të bërë shëtitje
nga Skela, bashkë me shoqet e saj të gjimnazit
e më pas, të universitetit. Ana ishte
vajzë e hijshme! Shtatlartë, e veshur me
shije, sy të zi e tërheqës, flokë të dredhura
e tipare plot nur. Ajo dhe familja e saj e
nderuar jetonin në një rrugicë të "Vrenezit",
ku banonin shumë familje izraelite.
Ata ishin mjaft punëtorë, të sjellshëm e të
kulturuar. Për ne, origjina e tyre
s‘përbënte asnjë problem, ndaj jetonim
vëllazërisht me ta, në dashuri, në harmoni
të plotë e respekt shembullor. Ana,
bashkë me familjen, ikën nga qyteti ynë i
përbashkët, në korrik të vitit 1966. "Kur
makina po ngjitej lart, mes ullinjve, në
Qafën e Bestrovës, thotë Ana, qaja me
ngashërim. Nuk doja të ikja nga Vlora. Aty
po lija, vërtet, zemrën time. Dhe, ajo, e
gjithë familja, s‘e harruan kurrë Vlorën.
Ana i la studimet që kish nisur, përgjysmë.
Ajo ishte studente në Fakultetin e Stomatologjisë
në Tiranë e më pas, fill mbas
largimit nga Vlora, u diplomua shkëlqyeshëm
jashtë, fillimisht në Greqi e pastaj
në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku
edhe u njoh me Markus, me të cilin u martua.
Por largimi i saj nga Shqipëria, nuk e
shkëputi kurrë atë nga vendlindja. Sepse
ajo kaloi në qytetin bregdetar vitet më të
bukura të rinisë, duke përjetuar aty kujtime
të paharruara. Ndaj ajo, përherë
thotë me krenari: "Unë jam, Ana, vajza e
Vlorës...". Doktoresha dentiste, Ana Kohen,
jeton në Nju Jork. Kabineti i saj i
punës ndodhet në qendër të Manhatanit.
Emri i saj është bërë mjaft i njohur, në
mbarë diasporën shqiptare, në Amerikë,
pikërisht nga ndihma dhe mbështetja që
ajo u ka dhënë shqiptarëve, pa dallim.
Ndërkohë, prej dhjetë vjetësh, ajo është
në krye të organizatës së njohur AAWO
(Organizata e Grave Shqiptaro-Amerikane),
e cila mban emrin "Motrat Qiriazi".
Me dashurinë e saj të rrallë për Shqipërinë,
me përkushtimin e saj për
mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës (gjatë
konfliktit të fundit e më pas, ajo ka dhënë
një ndihmë të palodhur për përballimin e
krizës, si edhe për ndihmën ndaj emigrantëve
të ardhur nga trojet shqiptare),
me ndihmën pedagogjike e materiale që
ka dhënë herë pas here ndaj Universitetit
Shtetëror në Tiranë, si edhe me angazhimin
e saj të palodhur në një varg organizmash
e nismash proshqiptare në
Amerikë, ajo është bërë ndër personalitetet
më të njohura në mbarë botën shqiptare,
brenda dhe jashtë saj. Ish-presidenti
i Republikës së Shqipërisë, zoti Alfred
Moisiu, e ka dekoruar atë me medaljen
"Për merita të larta civile", ndërsa Vlora,
qyteti i saj i lindjes, dy vjet më parë, e
ka nderuar me titullin e lartë: "Qytetar
Nderi". Por, me Anën, ndërkohë, mua më
lidhnin edhe përkushtime të tjera. Ajo
është një ndër veprimtaret më të spikatura
për mbrojtjen e qytetit të Vlorës nga
ndotja dhe dëmtimi ekologjik. Pikërisht,
atë mbrëmje që kaluam në restorantin
rus, ajo më tregonte: "Qysh kur isha e
vogël, aty në plazhin e Ujit të Ftohtë, vizatoja
shpesh perëndimin e diellit mbi Sazan.
Pastaj, mbi detin blu, shtoja edhe dy
anije, të cilat mbanin dy flamurë. Njëra atë
shqiptar kurse tjetra, atë izraelit. Ato vizatime
më kanë mbetur në memorie. Tani
që përfytyroj atë kohë dhe ato simbole,
them se dëshira ime ishte që një ditë, në
Vlorën tonë turistike, të mund të vinin
shumë turistë nga Izraeli. Dhe, unë me
kënaqësi, do t‘i shoqëroja ata e do t‘i çoja
te ‘Rruga e Izraelitëve‘, do t‘iu tregoja vendin
ku arritën izraelitët në Mesjetë,
atëherë kur u ndoqën nga Spanja etj.".
Ana është një grua plot shpirt, ndjenjë e
sinqeritet të spikatur. Në shumë raste, e
me mënyra të ndryshme, ajo me dashurinë
e saj të pashembullt për vendin e
lindjes (gjë e cila do të bënte, ndofta, të
skuqej çdo shqiptar indiferent), ka dalë
gjithmonë në mbrojtje të qytetit buzë
Adriatikut. Unë dhe shumë të tjerë e kemi
mbështetur atë, sepse Vlora nuk duhet të
lejohet të kthehet në një qytet-mynxyre!
Me det dhe qiell të pistë, me njerëz që do
thithin ajër të ndotur e me një breg që do
të bjerë erë naftë. Vlora duhet mbrojtur
gjer në fund ngaqë e meriton, për vetë
historinë, bukuritë dhe pasuritë e saj turistike.
Pikërisht, këtë apel, bën sot edhe
Ana. Dikush, në bisedë e sipër, gjatë çeljes
së ekspozitës sonë fotografike në Manhatan,
e pyeti: Ana, si shpjegohet që ti e
do kaq shumë Vlorën? Dhe ajo, me
buzëqeshjen e saj të ëmbël, iu përgjigj:
"Po, është e vërtetë që e dua! Dhe bëj
shumë për të, sepse brezat që do të vijnë,
kur të pyesin se pse vlonjatët nuk e
mbrojtën ashtu siç duhet qytetin nga
ndotjet, unë nuk do të doja ta ndieja veten
fajtore...".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›