FIFA ka nevojë për ndryshime
Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Azisë (AFC), Mohammed Bin Hammam, ka thënë se FIFA ka nevojë për ndryshime të mëdha për të kthyer besimin. Federata Botërore e Futbollit kaloi një vit të vështirë më 2010, ku dy anëtarë nga Komiteti Ekzekutiv i saj u suspenduan, ndërsa katër zyrtarë të tjerë u sanksionuan.
Vendimi që Katari të jetë nikoqir i Kampionatit botëror 2022 po ashtu zgjoi kritika të shumta. Bin Hammam tha se nevojiten “shumë ndryshme” dhe shtoi se “njerëzit sot, ndoshta gaboj në qasjen time, janë duke u ankuar shumë rreth mënyrës se si FIFA merret me detyrat e saj”.
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, gjatë verës synon të zgjasë qëndrimin 12 vjeçar në post, ndërsa Bin Hammam nga shumëkush shihet si sfidues për pozitën e Blatterit në zgjedhjet e majit. 61 vjeçari nga Katari përsëri ka bërë thirrje që FIFA të kufizojë mandatet presidenciale për të mirën e sportit dhe parandalimin e njerëzve të mbrojnë pozitat e tyre për përfitime personale.
“Besoj se është e drejtë që FIFA si organizatë të ristrukturojë veten”, u shpreh Bin Hammam i cili do të tërhiqet nga posti i presidentit të AFC-së më 2015. “Kufizimi i mandatit për president do t’i lejonte njerëzit të paraqiten pa hezitim dhe njerëzit e rinj sjellin ide të reja, mendime të reja dhe e çojnë organizimin përpara”, përfundoi ai.