E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Turqia ose Kroacia?

Gjatë kësaj vere, përfaqësuesja e Kosovës pritet ta zhvillojë ndeshjen më të madhe në historinë e saj. Burime të Expressit kanë bërë të ditur se udhëheqësit e futbollit kosovar janë shumë afër që ta bindin Kombëtaren e Turqisë ose atë të Kroacisë për të zbarkuar në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Opsion tjetër është edhe njëri prej favoritëve për ta fituar ‘Euro 2012’, Gjermania.

Derisa shumë përfaqësuese të shteteve të ndryshme tashmë kanë nis të përqendrohen në eliminatoret për Kampionatin Botëror, të cilat fillojnë në muajin shtator, udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) po punojnë intensivisht që sa më shpejt t’ia organizojnë një ndeshje të madhe miqësore përfaqësueses së Kosovës ndaj ndonjë kombëtareje të huaj.

Madje, krerët e futbollit kosovar janë shumë të interesuar që në vendin tonë ta sjellin ndonjë skuadër, pjesëmarrëse e Kampionatit Evropian ‘Euro 2012’, thuajse menjëherë pas përfundimit të këtij evenimenti.

Burime të besueshme të gazetës Express, brenda FFK-së, kanë deklaruar se, sipas të gjitha gjasave, gjatë kësaj vere në vendin tonë do të zbarkojë kombëtarja e Turqisë ose ajo e Kroacisë. Madje, sipas këtyre burimeve, gjasat janë të mëdha që në vendin tonë të zbarkojë edhe favoriti kryesor për ta fituar ‘Euro 2012’, Gjermania.

“Jemi në bisedime shumë serioze me turqit dhe kroatët, e po ashtu në opsion e kemi edhe Gjermaninë. Mirëpo, gjasat janë shumë më të mëdha që ta sjellim Turqinë ose Kroacinë. Njëra prej këtyre dy kombëtareve sigurisht se shumë shpejt do të zbarkojë në Kosovë”, tha një burim i Expressit, i afërt me zhvillimet.

Sipas këtij burimi, përfaqësuesja e Kosovës, ndeshjen ndaj Turqisë apo Kroacisë, ose kundër gjermanëve, pritet ta zhvillojë në muajin gusht, apo më së largu në shtator. Ky takim pritet të zhvillohet në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë.

“I kemi dy opsione: 16 gushtin dhe 22 shtatorin. Mirëpo, gjasat janë më të mëdha që ndeshjen ta zhvillojmë më 22 shtator, sepse deri atëherë ne po besojmë se do ta rinovojmë jashtëzakonisht mirë stadiumin ‘Adem Jashari’. Është e sigurt se ndeshja do të zhvillohet në këtë stadium”, u shpreh ai.

Sipas tij, për dallim prej së kaluarës, krerët e FFK-së tani po e kanë më të lehtë aranzhimin e kësaj miqësore për përfaqësuesen e Kosovës, pasi FIFA pak më moti ia lejoi shtëpisë së futbollit kosovar të organizojë ndeshje të tilla, si për përfaqësuese, ashtu edhe për klube.

Po ashtu, edhe udhëheqësit e federatave të tjera po i marrin me seriozitet ofertat e FFK-së, pasi ndeshjet e tilla miqësore në këtë verë atyre u shërbejnë për t’i testuar përfaqësueset e tyre para fillimit të eliminatoreve për Kampionatin Botëror ‘Brazili 2014’.

Miqësoren më të madhe që e ka zhvilluar reprezentacioni kosovar deri më tani është ajo e vitit 2007, kur në Turqi e pati mposhtur me rezultat minimal, 1:0 Kombëtaren e Arabisë Saudite.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›