E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, pushime më të gjata se sezonin e kaluar

Sekretari Judmir Shurdhi pohon se skuadra mund të grumbullohet ditët e para të korrikut, ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë largim zyrtar   Nga Julian Kasapi Te Lushnja nuk është e thënë që të fillojnë lëvizjet, edhe pse u bë një kohë e gjatë nga përfundimi i sezonit që shkoi. Eshtë mbyllur edhe një tjetër javë e thatë, pavarësisht premtimeve nga ana e drejtuesve të kësaj skuadre për analizën e shumëpërfolur, që do tu jepte drejtim gjërave dhe do të bënte të ditur projektin për sezonin e ardhshëm, ku verdhejeshilët synojnë ta finalizojnë me sukses përpjekjen e 4-t për kthimin në Superligë. Nuk do të ketë grumbullim të skuadrës deri në ditët e para të korrikut. Kjo është deklarata që vjen nga kampi lushnjar pikërisht nga sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, i cili më tej shton: Këto ditë jemi marrë me seleksionimin e futbollistëve për skuadrat zinxhir. Më tej do të mundohemi të përmirësojmë ambientet sportive të klubit tonë, konkretisht anekset, ku kryejnë procesin stërvitor të gjitha skuadrat e moshave të Lushnjës. Organikën e kemi me nga dy trajnerë dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë për akademinë sportive, që pretendojmë të ndërtojmë. Drejtuesit lushnjarë duket se i kanë marrë gjërat me qetësi, por përvoja tregon se masat për një sezon të suksesshëm duhen marrë sa më pare, duke i paraprirë çdo të papriture. Futbollistët Nga ana e tyre, futbollistët lushnjarë vazhdojnë të shijojnë pushimet, që duket se këtë vit do të jenë pak më të gjata se sezonin e shkuar, kur u grumbulluan në mesin e muajit qershor. Nga sfera e merkatos nuk ka asnjë largim zyrtar, edhe pse nuk mungojnë ofertat dhe bisedimet e futbollistëve kryesorë lushnjarë me drejtues skuadrash të tjera. Të gjithë pohojnë se do të vendosin, pasi të mblidhet skuadra e Lushnjës, sepse parësore për ta mbetet skuadra e qytetit. Ndërkohë, nëse drejtuesit myzeqarë vonohen më shumë se duhet për organizimin e skuadrës së re, nuk do të ishte çudi, që titullarët lushnjarë të firmosnin diku tjetër. Fakt është se për ta ka kërkesa konkrete, madje edhe nga Superliga, siç është rasti i sulmuesit Mikel Canka, i cili kërkohet nga Flamurtari, kështu që shtyrja e grumbullimit do të ishte në dëm të Lushnjës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›