E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekrezi: Gramshi ka nevojë për 4 lojtarë cilësorë

Kapiteni i gramshiotëve, Armand Çekrezi, thekson se grupi mund të kompletohet me të paktën 4 përforcime për sulmin dhe mbrojtjen   Nga Artan Paja Kur stafi teknik i Gramshit ka hyrë në fazën përzgjedhëse të lojtarëve, të cilët do ti bashkohen skuadrës për sezonin e ardhshëm, kapiteni Armand Çekrezi thekson se janë të nevojshme së paku katër përforcime. Sipas tij, Gramshit i duhen edhe 4 lojtarë cilësorë, me qëllim që kampionatin e ardhshëm të jetë sa më i blinduar. Çekrezi thotë se gjatë merkatos së verës janë të shumtë lojtarët, të cilët komunikojnë me njëri-tjetrin për të mësuar më tepër mbi skuadrat paralele të Kategorisë së Parë. ”Eshtë për tu përshëndetur interesimi i dhjetra lojtarëve, që kërkojnë të mbrojnë ngjyrat e Gramshit sezonin e ardhshëm, ndërsa trajnerët po tregohen më të kujdesshëm, pasi duhet të afrojnë futbollistët e duhur. Mendoj se skuadra ka nevojë për të paktën katër futbollistë profesionistë, të cilët duhen për repartet e sulmit dhe të mbrojtjes. Gjatë sezonit të kaluar Gramshi vuajti shumë me këto dy reparte, duke u ndëshkuar edhe në ndeshjet në shtëpi, ndaj dhe afrimi i tyre në Gramsh do ta konsolidojë më tepër grupin aktual. Mendoj se trajnerët kanë dëgjuar edhe sugjerimet e disa lojtarëve titullarë të Gramshit për ndonjë shërbim të veçantë dhe së shpejti do të vendosin edhe kontaktet paraprake”, – u shpreh për Sportin shqiptar kapiteni i skuadrës gramshiote, Çekrezi. Renato Sula Ndërkaq, drejtuesit e klubit kanë filluar të dalin përtej Qarkut të Elbasanit sa i takon përzgjedhjes së lojtarëve. Skuadrat ku po kërkohen përforcimet janë Tomori, Lushnja dhe Kastrioti. Burime pranë stafit teknik bëjnë me dije se gjatë ditëve të fundit një zyrtar i lartë i klubit është ulur në tryezën e bisedimeve me kryeqytetasin Renato Sula, i cili sezonin e fundit luajti për Lushnjën. Eshtë e qartë se mesfushori Sula ka marrë një ofertë nga klubi gramshiot. Edhe sezonin e shkuar, drejtues të lartë të Gramshit e ”lakmonin” këtë lojtar kryeqytetas, por gjithçka mbeti në rang bisedimesh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›