Të kuqtë mbeten në pritje të udhërrëfyesit të Kategorisë së Parë, por situata aktuale nuk i grish futbollistët që të bëhen pjesë e demave
Nga ILIR CARA
Që nga e enjtja e 21 qershorit ka marrë rrugë Partizani i sezonit 2012-2013, por fillimi nuk është aspak premtues, pasi situata është më keq se sa ishte në përfundim të edicionit të fundit. E vetmja gjë pozitive ka të bëjë me plotësimin e proceduarve për regjistrimin në federatë, ku padyshim administrimin e ka sërish Ministria e Mbrojtjes. Fillimi i qershorit u karakterizua nga lajme të mira për Partizanin, gjë që solli rritjen e interesit të shumë futbollistëve për të veshur fanellën e kuqe, që më parë ka qenë e ëndërruar nga të gjithë. Pa dyshim, në linjë të parë mbeten armata e madhe e ishëve, të cilët me kënaqësi do ta pranonin rikthimin tek ekipi legjendar, me të vetmin kusht që të ketë garanci financiare. Aktualisht Partizani po kalon një situatë të turbullt dhe shpresat mbeten vetëm pas seancës gjyqësore të 27 qershorit, ku në Gjykatën e Apelit pritet të jepet vendimi se kujt i takon logoja. Merkatoja verore është hapur prej një muaji, por te Partizani për momentin flitet vetëm për largime. Futbollistët, të cilët dëshirojnë të rikthehen, nuk duan të nxitohen, pasi ata kanë përjetuar eksperienca të hidhura, duke luajtur pa u paguar te Partizani. Jemi ngopur me fjalë të mira dhe lugë bosh te Partizani, pasi që nga viti 2008 nuk kanë munguar projektet e mëdha dhe slloganet për ndryshim. Por të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur konkretisht nga ai moment i 17 majit 2008, kur Partizani humbi titullin kampion të Superligës në ndeshjen e fundit me Dinamon. Nëse do të ketë projekt serioz, pa dyshim që të gjithë ata që kanë veshur fanellën e kuqe do të ishin të gatshëm për të qenë pjesë e Partizanit, – u shprehën për Sportin shqiptar disa ish-lojtarë të kuq, të cilët shpresojnë që situata të ndryshojë sa më parë dhe ata të kthehen në familje. Nëse vonesat vijojnë gjatë, është e qartë se Partizani do të penalizohet për sezonin e ri. Vërtet që mund të sigurohet ana financiare pak ditë para fillimit të kampionatit, por problemi mbetet se nuk mund të gjenden lojtarët, të cilët mund të garantojnë suksesin. Mendohet se qershori për Partizanin do të mbyllet në këtë vazhdë dhe shpresa e ndryshimit mbetet vetëm nga fillimi i korrikut.