Vjen në Shqipëri aktori i famshëm hollivudian Rupert Everett

Lajmin e konfirmoi sonte për agjencinë e lajmeve NOA, Albanian National Trust. Ajo tha se Everett, do të jetë i pranishëm në Shqipëri për një projekt mjaft të veçantë.
“Me mbështetjen e televizionit të njohur anglez Channel Four News, Rupert Everett do të ndjekë gjurmët e poetit të madh anglez Lord Byron në Shqipëri”, thanë përfaëqësuesit e Albanian National Trust.
Ky projekt i ideuar si një tentativë për të kuptuar arsyet e largimit të poetit të madh nga vendlindja dhe tërheqjes së tij nga Orienti, do të sjellë risi të reja dhe fakte të panjohura në prag të 200 vjetorit të ardhjes së Bajronit në Shqipëri.
Për këtë arsye Rupert Everett dhe ekipi i tij do të filmojnë jo vetëm vendet e njohura të shkelura nga poeti por edhe viset e Shqipërisë së Jugut.
Në dokumentarin që pritet të realizohet për jetën e Lordit Bajron në Orient, Shqipëria do të zërë një vend të rëndësishëm.
Por në veçanti do të jetë marrëdhënia e Bajronit me shqiptarët dhe Ali Pashën, mikpritësin e tij.
Në këtë aventurë shqiptare aktori anglez do të ketë si protagonist në rrugën e Bajronit, studiuesin shqiptar Auron Tare, i cili vitin e kaluar realizoi një dokumentar mbi udhëtimin e Bajronit në Shqipëri nga shkrimtari i njohur anglez Robin Hanbury Tennyson.
Një veçanti e këtij projekti do të jetë edhe nxjerrja në dritë e kontributit të mikut të Bajronit, Hobhouse, i cili ka lënë një ditar të detajuar mbi rrugën e tij dhe të mikut të tij Bajroni, në viset shqiptare.
k.e/NOA
Shkarko attachment >> RupertEverett_872045570.jpg