E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i NOA-s për gjak të sëmurit, reagon ministrja Anila Godo

Tiranë, 1 Tetor 20:58 NOA (Update) – Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, pas publikimit nga agjencia e lajmeve NOA të apelit për të ndihmuar një të sëmuri në Selanik që ka nevojë për gjak, ka reaguar duke ofruar mbështetjen e dikasterit që ajo drejton.

Ministrja Godo deklaroi sot në mbrëmje se ka vendosur të kontaktojë në mënyrë të drejtpërdrejtë me familjen e të sëmurit dhe me spitalin Shtetëror Ipokratos të Selanikut për të bërë të mundur që pacienti të mos ketë mungesë të gjakut pas transplantit që ai ka bërë.

“Ne jemi të disponueshëm që në mënyrë të shpejtë të ofrojmë ndihmën tonë për pacientin që është një qytetar shqiptar dhe që aktualisht mësuam se ndodhet nën kurim në Selanik ndaj kemi vendosur të merremi me këtë rast për ta çuar në rrugën e zgjidhjes”, deklaroi znj.Godo.

Sensibilizimi i dikasterit të Shëndetësisë erdhi pak orë pasi agjencia e Lajmeve NOA, publikoi në qendër të faqes së parë, apelin mbi një qytetar nga Fieri i cili ka bërë transplant organi në spitalin shtetëror të Greqisë dhe që ka nevojë të ngutshme për një sasi gjaku.

Pasi familjarë të të sëmurit kërkuan ndihmë, Agjencia e Lajmeve NOA, i ka bërë apel Ministrisë së Shëndetësisë dhe emigrantëve që të ndihmojnë në shmangien e rrezikut të jetës për Behar Hoxhën.

***

I sëmuri 31 vjeçar, baba i dy fëmijëve, një djali gjashtë vjeç dhe më të voglit trevjeçar, gjendet në spitalin shtetëror të Selanikut prej afro një muaji, për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale. Behari ka kryer transplant të mëlçisë së zezë më datën 19 shtator të këtij viti.

Bashkëshortja e tij, Neto Hoxha, 29 vjeçare, gjendet aktualisht në Selanik, pranë të shoqit kurse babai i saj, Fuat Hoxha, po bën përpjekje për të shmangur rrezikun e jetës së dhëndrit.

Behari ka nevojë një 62 doza gjaku të cilat mund të vijnë qoftë nga dhurues vullnetarë gjaku, qoftë dhe nga autoritete shqiptare të shëndetësisë.

“Deri tani Beharit i janë dhënë 22 doza gjaku, nga 0.4 l secila, por spitali i Selanikut nuk mund të japë gjak përveçse përmes dhurimit vullnetar, ndaj sugjeron që të sigurohet një sasi gjaku prej afro 25 litrash”, - deklaroi sot pasdite për agjencinë e lajmeve NOA, vjehrri i Beharit, Fuat Hoxha, një 55 vjeçar nga Pobrati i rrethit Berat i cili gjendet në Elefsinë pranë kryeqytetit grek Athinë.

Bluzat e bardha në spitalin e Selanikut, kanë qartësuar se nuk ka rëndësi grupi i gjakut të dhuruesve, e rëndësishme është që në bankën e gjakut të këtij institucioni shtetëror shëndetësor të jetë gjendje sasia e gjakut që do të përdoret për Beharin, pavarësisht grupit të gjakut që do të kenë dhuruesit e mundshëm.

Në këtë pikë, familjarët e Behar Hoxhës bëjnë apel për ndihmë. Këtu bashkohet edhe agjencia e lajmeve NOA. Stafi i saj, i bën thirrje emigrantëve shqiptarë, sidomos atyre që momentalisht gjenden në Selanik, që të shkojnë në spitalin e Selanikut dhe të dhurojnë gjak, në ndihmë të Behar Hoxhës dhe shmangies së rrezikut për jetën ndaj babait 31-vjeçar të dy djemve të vegjël.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve NOA i bën thirrje edhe Ministrisë së Shëndetësisë në Tiranë, të cilën ka vënë në dijeni, që ajo të ndihmojë në zgjidhjen sa më shpejt të kësaj situate.

Qytetarët shqiptarë, emigrantë në Greqi si dhe qytetarët grekë që dëshirojnë të ndihmojnë të sëmurin, mund të kontaktojnë me të afërmit e tij në numrin: 0030 6956628709 ose të kontaktojnë apo vizitojnë spitalin shtetëror të Selanikut.

NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›