E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen rokada Skënderbeu merr kreun

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-04-2011 11:58

Nuk kishte fundjavë më të mirë se kjo për Skënderbeun! Përballë një Dinamoje të pamotivuar në kampionat dhe me një “aleat” të jashtëm si Shkumbini, korçarët arrijnë të marrin vendin e parë pas 23 javësh kryesimi të Flamurtarit.

Në kryeqytet është zhvilluar një nga ato ndeshjet që përsa i përket rezultatit, të jep përshtypjen e një përballjeje të luftuar në çdo skaj të fushës (ndryshe nga e shumëpërfolura Dinamo-Skënderbeu 1-3 e fazës së dytë). 5 gola dhe një Dinamo që sulmon fort, sidomos në pjesën e parë, ku godet traversën me Allmuçën dhe detyron mbrojtësin Bici të bëjë një ndërhyrje in-extremis për të hequr topin pak para se të kalonte vijën fatale. E megjithatë, në minutën e 45-të Soza do të “djegë” me shpejtësi mbrojtjen kundërshtare e do të pasojë saktë te Muzaka, që do të mposhtë portierin Hoxha. Ky është i pari nga 5 golat që do të shënohen të tërë nga ish-lojtarë të dy skuadrave.

Pjesa e dytë nisi me golin e Skënderbeut, të realizuar nga Soza në të 46-tën, e që çoi rezultatin 0-2. Edhe Soza është një ish-lojtar i Dinamos. Për argjentinasin bëhet fjalë për golin e 11-të të tij. Dinamo shkurtoi diferencën në 1-2 në minuten e 55-të, me një kundërsulm të nisur nga Allmuça, Shehi nuk e kontrolloi dot topin dhe aty Mlladen Brkiç realizoi golin ndaj ish-skuadrës së tij, Skënderbeut. Por nuk mbaron me kaq. Në minutën e 60-të, Skënderbeu shënoi golin e tretë me anë të Muzakës. Jetmir Sefa harkoi në zonë, portieri Hoxha nuk arriti ta kontrollojë topin, dhe aty ish-lojtari i bluve, Muzaka, shënoi golin e tij të dytë në këtë ndeshje. Megjjithatë, për t’i vënë kapak sfidës dhe paradës së golave, ka menduar edhe njëherë Mlladen Brkiç. Në minutën e 70-të, serbi shkurtoi diferencën në 3-2, me golin e tij të dytë në këtë ndeshje, ashtu si Muzaka për Skënderbeun. Për sulmuesin bëhet fjalë për golin e tij të 11 sezonal, 8 nga këta për Skënderbeun. Korçarët kanë fituar të treja përballjet me Dinamon në këtë kampionat, 3-2, 3-1, 3-2, duke grumbullar 9 pikë.

Përfundimisht, një fitore me shumë vlera për Skënderbeun, që i mundëson të parakalojë në renditje Flamurtarin, që e lëshon kreun pesë javë para përfundimit të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›