Korça vishet bardhekuq, fillon festa për titullin kampion
Ekipi i Skënderbeut ka prekur vendin e parë në renditjen duke lënë pas rivalin e tij Flamurtarin me dy pikë diferencë. Në fakt korçarët kanë shpresuar jo pak te gabimi i radhës të ekipi vlonjat duke iu lutur madje dhe Zotit. Më në fund ka ndodhur. Transferta e Dinamos ka dalë me sukses, ndërkohë që dhe Flamurtari ka humbur shansin e tij. Zhvillimet e të shtunës kanë qënë ndër më të bukurat për ekipin e Korçës, teksa në këtë qytet ka filluar dhe festa. Natyrisht që ëndrra e çdo korçari është titulli kampion i ekipit të tyre të zermrës. Gjyshërit duket se iu kanë treguar histori të bukura me Skënderbeun e figurave të njoura si Todo Vaso, Dhimitraq Xhambazi, Milutin Kërçic, Jani Kaçi, Pandi Dhëmbi etj., por peshën e një titulli nuk e kanë ndierë kaq shumë pranë. Tashmë koha ka ardhur dhe një qytet i tërë është bërë i gjithë tifoz i Skënderbeut. Madje fitorja në Tiranë kundër Dinamos, por dhe humbja e Flamurtarit janë festuar për disa orë me radhë gjatë pasdites të të shtunës. Disa dhjetra tifozë të grupimit bardhekuq kanë dalë me simbolet e skuadrës së tyre në rrugët e qytetit. Festimi më i bukur është ndalur tek monumenti i Korçës “Luftëtari Kombëtar” mbi të cilin kanë vendosur të festojnë dhe të ngjiren për Skënderbeun e tyre. Feta ka vazhduar gjatë madje një pjesë e tifozëve me flamuj të mëdhenj kanë rrethuar makinat. Për më shumë se 3 orë buritë e makinave dhe festimet para Katedrales dhe para monumentit që identifikon Korçën, nuk kanë rreshur duke i dhënë një atmosferë të pazakontë këtij qyteti. Ndërkaq është vendosur që ekipit t’i bëjnë një pritje madhështore pikërisht në orët e vona të mbrëmjes, atëherë kur skuadra do të shkelte qytetin e Korçës. Tashmë Skënderbeu kryeson, ndërkohë që i duhet të sigurojë të tjera fitore deri në fund për të shkuar në Vlorë në ndeshjen e fundit me këtë skuadër me 4 pikë para, çka do t’u siguronte titullin kampion.
Irena Vreto