Hasi: Dua një projekt afatgjatë
Ndonëse nuk ka ende asgjë zyrtare nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, janë të shumta rrugët që të dërgojnë drejt epokës Hasi në krye të kombëtares së Shqipërisë. Fakti se Anderlehti po kërkon një zv/trajner dhe se objektivi i kandidatit numër një është ai për të punuar me talentet, duket se padashur të japin bindjes se është pikërisht Hasi i zgjedhuri i presidentit Duka. Sidoqoftë, deri më tani bisedat kanë ngecur në kohëzgjatjen e kontratës së Besnik Hasit, por ky i fundit duket se nuk heq dorë nga idea e tij për të punuar si minimum për katër vite në stolin e Shqipërisë. Sidoqoftë, gjakovari e nis tregimin e tij nga zero, kur me Genkun e panjohur iu hapën dyert e futbollit të madh belg. “Janë bërë 10 vite që jam i punësuar tek Anderlehti, gjashtë vite si futbollist dhe po bëhet viti i katërt si ndihmëstrajner – tregon Besnik Hasi –. Me Genkun u futëm në kategorinë e parë dhe morëm Kupën e Belgjikës. Në pesë vite erdhëm nga kategoria e dytë dhe u ngjitëm në majën e futbollit belg. Në vitin 2000 erdha tek Anderlehti sepse ish-trajneri i Genkut kishte ardhur një vit më parë në krye të Anderlehtit dhe më donte me ngulm në skuadër.” Por ai ka qenë i tunduar edhe për një eksperiencë në Spanjë me fanellën e Real Sociedad, por nuk mund të humbiste rastin për të luajtur në Champions League. “Edhe pse kisha një ofertë shumë të fortë nga Spanja, nga San Sebastian, që ishte ngjitur në kategorinë e parë në atë vit, prapë se prapë erdha tek Anderlehti sepse e dija që do të luaja për trofe dhe do të shijoja Champions League. Kemi luajtur për pesë vite radhazi në Champions dhe ato janë kujtime shumë të mira.” Më pas, Besniku futet në temën e nxehtë, atë të stolit kuqezi. Ai nuk e fsheh dëshirën dhe krenarinë për të qenë një ditë trajneri i Shqipërisë. “Për mua është një nder shumë i madh të lakohem për stolin e kombëtares shqiptare dhe në qoftë se ajo do të realizohet, unë do ta pranoja me shumë dëshirë.” Gjithashtu, Hasi analizon edhe punën e trajnerëve të huaj në krye të kuqezinjve dhe përse-në e dështimit të tyre. “Në kombëtaren shqiptare, kishim trajnerë të huaj dhe për mendimin tim nuk ishin trajnerë të mëdhenj që do të sillnin diçka ekstra. Ata kishin vetëm një gjë pozitive, kishin një imazh të mirë në Europë, që neve na duhej faktikisht. Mirëpo ata trajnerë vinin me një afat të shkurtër dy-vjeçar dhe do të jepnin domosdo deklarata të tipit “do kualifikohemi” sepse presioni ishte tek ata. Për dy vite nuk mund të arrihet një sukses që të paktën në atë periudhë nuk ishte realist.” Në fund, Hasi pranon se me futbollin shqiptar duhet punuar me cikle katër-vjeçare, çka nënkupton edhe periudhën që ai mendon për të qëndruar në krye të Shqipërisë. “Është e sigurt, të gjitha vendet e vogla për mua duhet të punojnë me një cikël afatgjatë që të krijosh sa më tepër futbollistë që do të mbajnë barrën e ekipit kombëtar. Unë jam i mendimit që duhet të punojmë me moshat e reja sepse dihen shumë gjëra pozitive për moshat e reja në Shqipëri dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë. Duhet të punojmë me këta çuna që kanë talentin e duhur dhe kështu do të mund të krijonim një ekip dinjitoz për të qenë kompetitivë në eliminatoret e ardhshme. Ambicia është të ecësh një hap përpara, por ambicia nuk është që të kërkosh kualifikimin pas dy ndeshjeve të para, sepse humbet në dy ndeshjet e tjera dhe të kap dëshpërimi. Kjo është ajo që ndodh me ne shqiptarët që entuziamohemi shpejt. Gjithçka duhet bërë hap pas hapi, që të kesh ngritje çdo vit,” përfundon deklaratën e tij Besnik Hasi, ish-lojtari i kombëtares dhe aktualisht, kandidati numër një për të marrë në dorë stolin kuqezi.
Duka-Hasi takim në Rogner?
Presidenti Armand Duka dhe sekretari i FSHF-së, Eduart Prodani, kanë qenë dje në një takim privat me një person të tretë, që është menduar se mund të jetë Besnik Hasi. Vetë sekretari i FSHF-së, i pyetur nëpërmjet telefonit ka deklaruar se “bëhej fjalë për një takim privat” dhe nuk ka dashur të deklarojë nëse pala e tretë ka qenë ose jo Besnik Hasi.