E Diel, 1 Nëntor 2026

Vladimir Putin shfaqet sërish i “fortë”, ekzaminon ariun polar

Autori i Lajmit: A.D

Arktik - Nga të gjithë liderët e botës, Vladimir Putin duhet të jetë i vetmi që mund të përballojë një situatë të tillë. Kryeministri rus është fotografuar teksa ekzaminon së bashku me një grup shkencëtarësh të arktikut një ari polar 230 kilogramësh. Shefi i Kremlinit ndihmoi në matjet e trupit të ariut, ndërsa ai qëndronte pa ndjenja pas injeksioneve të anestezisë. Ekspedita u zhvillua në Arqipelagun Franz Josef Land. Të paktën kësaj radhe, “njeriu i fortë” i Rusisë nuk përdori armën për të shënjestruar një nga speciet më të rrezikuara të Arktikut, ashtu siç bëri disa vjet më parë kur qëlloi një tigër siberian për ta vënë në gjumë. “Arinjtë polarë janë nën kërcënim zhdukjeje”, - tha ai më vonë për një nga agjencitë ruse të lajmeve. “Sot ne numërojmë vetëm 25 mijë specie të tilla”. Shërbimi i shtypit të kryeministrit dhe Shoqata Gjeografike Ruse thanë se Putin kishte shkuar në Arktik për të vizituar një nga pikat më të largëta veriore të Rusisë dhe për të qenë pjesë e ekspeditës shkencore ruse. Vladimir Putin njihet si një nga njerëzit që e dashuron natyrën. Përveç fotove ku ai shfaqet përkrah një tigri siberian të paralizuar përkohësisht, ai është fotografuar duke peshkuar, kalëruar dhe notuar në ujërat e ftohta të liqeneve siberiane. Dy vjet më parë ai mori si dhuratë për datëlindje një këlysh të vogël tigri. Kujdesi që ai ka shfaqur gjithnjë për kafshët nuk përputhet me njeriun e fortë që ai shpesh shfaq, ndërsa praktikohet në sportin e preferuar të xhudos. Megjithatë, Mbreti Rus i zonave të pashkelura nuk e humbet kurrë rastin për të qenë i pranishëm në të tilla ekspedita. “Shkrirja e sipërfaqeve të akullnajave sjell problemet e veta në kushtet e jetës së arinjve polarë”, - shtoi më tej Putin. Ai bëri gjithashtu thirrje për një “pastrim rrënjësor” të Arktikut, ku niveli i ndotjes është gjashtë herë më i lartë se normalja.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›