Vlera e rrallë e “Iluzioneve” të Kongolit
Kam krijuar mendimin tim modest se thjeshtësia, dëshira për të vërtetën dhe guximi për ta shkruar apo thënë atë, e sidomos ndershmëria, janë pika arritje dhe jo fillimi për një njeri. Arritje këto, - përjashto rastet e një predispozicioni të natyrshëm që Zoti a Natyra kanë kombinuar në lindje brenda dikujt, - të cilat bëhen me një stërmundim të madh. Ndodhin te njerëz të mençur, por kjo nuk mjafton, sepse duhet të kesh dhe kurajon për të parë brenda vetes e për të zbuluar se si jemi gatuar me të mirat e këqijat që e përbrendshmja jonë e mistershme mbart. Këtë proces të magjishëm e përjetova në librin e Fatos Kongolit “Iluzione në sirtar – Pothuajse roman - për vetveten”. Shkruaj për këtë sot, pasi Elsa Demo në Gazetën Shekulli, siç Admirina Peçi në “Gazetën Shqiptare”, mbeten dy gazetare që arrijnë të sjellin në qendër të vëmendjes nga “periferia” e klimës së acaruar politike në vend, çështje të artit e kulturës e të njerëzve që i bëjnë. Elsa, tamam, sillte një intervistë të Kongolit mbi “Iluzione në sirtar”. Nuk është pak. Duke lexuar librin që ma dhuroi me dedikim një kolegia ime, nga një faqe në tjetrën, sikur më mbushej shpirti me atë oksigjen të pastër që çlirohet nga sinqeriteti, thjeshtësia, ndershmëria e autorit për të shkruar të vërtetën mbi veten; me pasazhe shokuese, të rënda, hera-here të turpshme që nga fëmijëria, adoleshenca, karriera, familja, qyteti, regjimi, tranzicioni. Por, duke gërrmuar në vetvete, Fatos Kongoli na ka bërë një shërbim të gjithëve: libri i tij bëhet si një udhërrëfyes pikësëpari për intelektualët shqiptarë të brezit të tij e të mëpasshëm. Ka bërë një shërbim edhe për ata që sot vazhdojnë të flasin e bërtasin pa parë se janë në majë të një grumbullimi plehërash të jetës së tyre. Ja, duke lexuar këtë libër, m’u krijua kjo përshtypje, që ky autor ka bërë një gjë të pabërë nga askush më parë. Ka treguar një respekt të jashtëzakonshëm për lexuesin, duke respektuar, dëgjuar, treguar, dënuar, lavdëruar, ironizuar gjëra për vetveten. A nuk është e madhe kjo?
Shkrimtari – në intervistën botuar sot te Shekulli - paralajmëron një periudhë të tretë në krijimtarinë e tij. Rrugëtim të mbarë shkrimtar i guximshëm e i mençur! Lexuesve u ke dhuruar një libër të çmuar.
(BalkanWeb)
Shkrimtari – në intervistën botuar sot te Shekulli - paralajmëron një periudhë të tretë në krijimtarinë e tij. Rrugëtim të mbarë shkrimtar i guximshëm e i mençur! Lexuesve u ke dhuruar një libër të çmuar.
(BalkanWeb)