E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësim shokues për Italinë, thellohet më tej kriza e Euro-s

Agjencia e rating-ut, Standard & Poors ka ulur vlerësimin për aftësinë borxhshlyese të Italisë, një lëvizje që thellon edhe më tej krizën e borxheve në Europë.

Siç bën me dije BBC, vlerësimi për Italinë është ulur me një nivel nga A+ në A, me perspektivë negative.

Argumentimi i agjencisë S&P është se ekziston frika mbi aftësinë e Italisë për të shkurtuar shpenzimet shtetërore dhe për të sistemuar financat. Një tjetër shqetësim është edhe rritja ekonomike e vendit.

Italia ka thënë se kjo lëvizje është influencuar nga konsiderata politike. Qeveria thotë se vlerësimi është diktuar më shumë nga shkrimet e medieve se nga realiteti ekonomik.

Italia pason Spanjën, Irlandën, Greqinë, Portugalinë dhe Qipron, të cilave iu është ulur vlerësimi këtë vit.

Ekspertët thonë se ky vlerësim do i bëjë tregjet edhe më të lëkundura. Italia ka nivelin e dytë më të lartë të borxhit në Europë dhe kostot e borxhit janë rritur në javët e fundit për shkak se kredidhënësit janë bërë nervozë në lidhje me aftësitë e vendit për të riparuar borxhet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›