Vleresime dhe nderime per figuren e Ibrahim Rugoves
Një ndër rrugët kryesore të kryeqytetit të Shqipërisë, merr emrin Ibrahim Rugova. Ajo është rruga kryesore nga Shallvaret përmes zonës së ish-bllokut e cila deri tani mbante emrin “Dëshmorwt e katwr shkurtit”. Djali e Presidentit të ndjerë, Uk Rugova përcolli emocionet dhe mirënjohjen e tij në ceremoninë me rastin e 4 vjetorit të Pavarësisë.
Vlerësime dhe nderime për figurën e Ibrahim Rugovës u përcollën gjatë ditës së sotme nga kryeministri, Sali Berisha, gjatë përurimit të rrugës me këtë emër në kryeqytet. Kryeministri Berisha do të sillte në vëmendjen e të gjithëve, faktin se Ibrahim Rugova ishte themelues i partisë së parë antikomuniste në Ballkan, ishte shembulli i qendresës paqësore në përpjejekjet e Kosovoës për t’u shkwputur nga regjimi diktatorial i Millosheviçit.
“Të gjithë shqiptarë përulen sot me nderim ndaj njeriut vizionar. Ibrahim Rugova bëri të mundur që shqiptarët të vijnë në këtë 100 vjetor krenar, të lirë të sigurtë për të ardhmen që meritojnë”, vuri në dukje kryeministri berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në ceremoninë e përurimit të kësaj rruge. Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, Rugova ishte themelues i partisë antikomuniste.
Por në vazhdën e vlerësimeve, kryeministri Berisha u shpreh se “përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, misionarit të pashoq në hitsorinë tonë kombëtare, arkitektit të Ksosovës së pavarur. Faleminderit presidenti Rugova për gjithçka bëre”.
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha gjatë kësaj ceremonie u shpreh i lumtur që në 4 vjetorin e Pavarësisë kombi shqiptar i bashkangjitet festimeve të Kosovës.
“Besoj se flas në emrin e të gjithëve, kur them se jam i lumtur që ju presim. Në 4 vjetorin e Pavarësisë ne nderojmë presidentin, Ibrahim Rugova. Sot një ditë e veçantë për kombin shqiptar. Dita e Pavarësisë së Kosovës. Nderojmë bijat e bijtë pa të cilat Kosova nuk do ishte e pavarur. Sot dita për të kujtuar dy figuarat emblematike, presidentin Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar Adem Jashari”, vuri në dukje Basha.
Gjithashtu, në vijim të vlerësimeve për këtë figurë, kryebashkiaku Basha shtoi se “ne përulemi para emrit dhe veprës së Ibrahim Rugovës. Ai është simbol i përpjekjeve të Kosovës për Pavarësi, kur të paktët e artikulonin idenë nën dhunën dhe terrorin serb. Qytetarët e Tiranës dhe unë ndjehemi të nderuar se një prej rrugëve të kryeqytetit tonë do mbajë emrin Ibrahim Rugova”.