Vlerësimi dhe harta e rreziqeve gjeologjike të Ballkanit
Kohët e fundit, një grup shkencëtarësh të shkencave të tokës nga Ballkani përfunduan projektin dyvjeçar “Vlerësimi dhe harta e rreziqeve gjeologjike të Ballkanit”.
Harta përfshin Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Projekti u financua nga US Civilian Research and Development Foundation (CRDF).
Rreziqet natyrore janë mjaft të larta në vendet e Ballkanit. Nga to dallohen veçanërisht tërmetet. Dihet se sizmiciteti i Ballkanit është më i larti në Evropë dhe nga më të lartët në botë. Përveç kësaj, mjaft dëme sjellin gjithashtu në këtë gadishull, landslajdet apo rrëshqitjet e truallit, rëniet e shkëmbinjve në shpate, erozioni, lëngëzimi i trojeve etj. Është mjaft e rëndësishme që njerëzit të kenë njohuri të mjaftueshme lidhur me dukuritë e rreziqeve gjeologjike të cilat mund të kërcënojnë herë pas here jetën dhe ekonominë e tyre. Studime të këtij lloji duhet të jenë para së gjithash në tryezat e organeve të ndryshme të vendimmarrjeve, këshillave të rregullimit të territorit e dikastereve të ndryshme ministeriale që marrin pjesë në projekte të mëdha të infrastrukturës rrugore, rrjeteve energjetike, ndërtimit të prodhuesve të mëdhenj të energjisë dhe zhvillimit të turizmit.
Projekti në fjalë u bazua në studimet dhe hartat ekzistuese të gjeohazardeve të vendeve pjesëmarrëse dhe u trajtua si një përpjekje paraprake, mbi bazën e të cilave mund të bëhen më pas përmirësime të herëpashershme. Autorët e studimit dhe të projektit janë: autori i këtij shkrimi, si koordinator dhe studiues kryesor dhe Dëfrim Shkupi e Shyqyri Aliaj (Shqipëri), Bojko Ranguelov dhe Georgi Aleksiev (Bullgari), Zenun Elezaj (Kosovë), Zoran Milutinoviç (Maqedoni) dhe Mirçea Radulian, Nekulai Mandresku dhe Bogdan Greku (Rumani). Hartografimi u bë nga Albert Avxhi (Shqipëri).
Projekti u zhvillua në një periudhë dyvjeçare, me dy takime të drejtpërdrejta, një uorkshop në Ohër, në mars 2007 dhe një takim pune në Tiranë, në gusht 2007 si dhe me një mori komunikimesh e diskutimesh nëpërmjet internetit.
Harta e gjeohazardeve e Ballkanit është në shkallën 1 : 1 milion dhe është kompiluar në ArcGIS. Kjo teknikë e re e Geographic Information Systems (GIS) lejon të mbivendosen në mënyrë shumë komode shtresa të ndryshme përbërëse të hartës të shoqëruara me skedarin përkatës të informacionit. Kjo do të thotë se në qoftë se hartën e hap në ArcGIS dhe klikon me maus në një simbol të caktuar, të del menjëherë informacioni lidhur me atë simbol, për shembull data e tërmetit, thellësia, magnituda, apo elementë të tjerë të rreziqeve të tjera gjeologjike.
Duke qenë se vlerësimet e rrezikut sizmik për vende të ndryshme qenë bërë me metoda e teknologji të ndryshme, si shtresë sizmike të hartës sonë morëm vlerat e një programi vlerësimi sizmik të botës, Programi i Vlerësimit Global të Rrezikut Sizmik (GSHAP) kryer në vitet 1992-1999, ku autori i këtij shkrimi ka bashkëpunuar. Për hartën u ndërtuan gjithashtu dy katalogë tërmetesh me magnitudë M>6.0 që përfshijnë tërmetet historikë deri në vitin 1900 dhe ata të regjistruar instrumentalisht nga 1900 në 2005. Njëri nga katalogët përfshin tërmetet me thellësi vatre deri në 70 km, të cilët janë karakteristike për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bullgarinë, dhe tjetri për tërmetet me thellësi vatre mbi 70 km, tërmete të cilat janë karakteristikë për zonën e Vrançës, Rumani.
Shtresat e tjera të hartës, përveç bazës topografike, përmbajnë të dhëna për rrëshqitjet, erozionet, lëngëzimet e trojeve, rënien e shkëmbinjve në shpate etj.
Ky studim dhe kjo hartë është mjaft e rëndësishme veçanërisht për projekte të mëdha ndërkufitare të Ballkanit. Të tillë janë të shumtë aktualisht në këtë zonë, bazuar në atë që përveç Bullgarisë e Rumanisë, që u bënë para një viti anëtare të Komunitetit Evropian, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor synojnë të gjitha drejt këtij objektivi.
Projekti është i rëndësishëm gjithashtu, sepse tregon një rrugë e mënyrë bashkëpunimi nëpërmjet ekipeve të vogla dhe financuar me një fond relativisht të vogël. Ai është shembull i një bashkëpunimi të suksesshëm midis specialistëve nga vende të ndryshme të Ballkanit. Një bashkëpunim i tillë është i domosdoshëm e themelor sidomos për rreziqet gjeologjike e natyrore, të cilat nuk duan t’ia dinë për kufij apo status quo politike.
Përfundimet e projektit u paraqitën më parë këtë vit në selinë e CRDF në Uashington DC, SHBA dhe u vlerësuan mjaft pozitivisht nga krerët e këtij institucioni. Projekti u bë i njohur gjithashtu në Kongresin e 33-të Botëror të Gjeologjisë në Oslo, Norvegji mbajtur në gusht dhe në asamblenë e përgjithshme të Komisionit Sizmologjik Evropian, mbajtur në fillim te shtatorit në Kretë, Greqi.
Ky projekt ishte i pari për CRDF me fokus në Ballkan, pasi deri tani CRDF e ka shtrirë veprimtarinë e saj në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Përveç projektit, fondacioni në fjalë ka shprehur interes për të ndihmuar në riorganizimin dhe modernizimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në Shqipëri.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)