OPINION/ Metafora, organi i akuzës nën akuzë
Nga Ilir Dhima
Kur emisari i lartë amerikan, Gordon England sugjeroi gjatë vizitës së tij të para pak ditëve në Tiranë respektim të institucioneve të pavarura, Presidenti ynë nxitoi ta siguronte mikun nga përtej Atlantikut, se Shqipëria është e vendosur ta ruajë këtë frymë demokratike.
Është e vendosur Shqipëria, por me sa merret vesh jo ‘Administratori’ aktual i saj, Sali Berisha, i cili pasi ua shfryu organeve të drejtësisë gjithë dufin për korrupsionin që gëlon në vendin tonë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë përshëndeti ministrin e Drejtësisë për sjelljen në tryezën ovale të Kryeministrisë të shtatë projektligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndryshime në organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Shtatë projektligje, me dispozita që prej kohësh kanë ngjallur diskutime të zjarrta dhe kontestime të forta nga grupe të ndryshme në rrafshe politike, juridike, mediatike dhe qytetare.
Në këtë paketë të iniciativës legjislative qeveritare bën pjesë edhe Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 9102, datë 10.07.2003, me anë të të cilit (siç është vënë në dukje me të drejtë deri tani), tentohet që të forcohet pozita e pushtetit ekzekutiv mbi organin e akuzës. Ashtu sikurse synohet, bie fjala, që pavarësia e gjykatave të cenohet rëndë me miratimin e Projektligjit për administratën gjyqësore. Pavarësisht preteksteve që nxjerr Sali Berisha për luftën kundër korrupsionit, asnjëherë nuk është e tepërt të kujtojmë se, në dallim nga sistemi anglo–sakson, në sistemin kontinental, profilit të të cilit i përket edhe legjislacioni ynë, prej kohësh është lëvizur drejt pavarësisë së organeve gjyqësore nga qeveritë përkatëse, duke sanksionuar parimin e kësaj pavarësie, realizimi i të cilit është i pandarë edhe nga pozita juridike e prokurorit.
Një qëndrim i tillë është mbajtur njëzëri edhe në Konferencën e Budapestit më 1994, ku është diskutuar për strukturën e organit të prokurorisë në një shtet të së drejtës, për transformimin e tij në një instancë që përputhet me nocionet demokratike të drejtësisë. Pas zhvillimit të punimeve të kësaj Konference, me sanksionimet e bëra në Kushtetutën e Shqipërisë më 1998 dhe në legjislacionin e hartuar e të zbatuar në bazë të konsakrimeve kushtetuese, Komisioni Europian mbi Demokracinë nëpërmjet të Drejtës, i njohur te ne më së shumti si Komisioni i Venecies, duke shprehur opinionin e tij theksonte: “Sistemi i veprimit publik ka pësuar reforma të dukshme këto vitet e fundit...Prokurorët janë deklaruar të pavarur nga Ministria e Drejtësisë ose nga çdo pushtet tjetër ekzekutiv...Struktura e këtij sistemi është në përputhje me normat e Këshillit të Europës”. Tani kërkohet te ne një tjetër reformim dhe, sipas Berishës në mbledhjen e grupit parlamentar të PD–së më 29 shtator, fillimi i këtij reformimi duhet të jetë imuniteti i gjykatësve dhe prokurorëve, sepse - sipas shprehjes së tij - “asnjëri prej tyre nuk duhet të gëzojë një privilegj të tillë, kur bëhet fjalë për korrupsionin”. Këtu është e domosdoshme të bëjmë për dijeni të lexuesit një korrigjim: imunitet kanë vetëm deputetët dhe diplomatët e akredituar në vendin tonë. Ndërsa gjyqtarët, dhe më pak akoma prokurorët, kanë një status të veçantë nga qytetarët e tjerë, më saktë një mbrojtje ligjore të veçantë, për t’u mundësuar atyre që të ushtrojnë me paanësi ‘pushtetin e tretë’, që bazohet vetëm në Kushtetutën dhe ligjet.
Me këtë këndvështrim të ndryshëm, le të shfletojmë Projektligjin e ri mbi Prokurorinë, dhe pa u ndalur në shumë dispozita të tij (komente politiko - juridike rreth disa prej të cilave janë botuar herë pas here në ‘Gazeta Shqiptare’), në këto radhë mbase ia vlen të përqendrohemi në dy nene. Vetëm në dy nene, që tregojnë qartë se meraku i Kryeministrit për të luftuar korrupsionin nuk është veçse demagogji, se ky merak ka të bëjë me vendosjen e kokës së prokurorëve tanë nën thundrën e vet. Konkretisht, në nenin 4, ku thuhet se pas nenit 7 të Ligjit aktual shtohet neni 7/1, që përmban tre paragrafë me përmbajtje “Pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm”, kur ky merr cilësinë e të pandehurit, sipas nenit 34 të Kodit të Procedurës Penale. Përse ky parashikim, kur Kushtetuta dhe në bazë të saj, Ligji në fuqi mbi organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë përcaktojnë qartë dhe prerë, se Prokurori i Përgjithshëm mund (vini re: mund), të shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e Kuvendit vetëm në tre raste?! Pra, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ushtrimit të funksioneve, për paaftësi mendore a fizike dhe për akte sjelljeje që komprometojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit?!
Në kushtet aktuale të vendit tonë, kur organi i akuzës, i cili drejtohet në mënyrë të centralizuar nga Prokurori i Përgjithshëm, po thellohet në hetimin e disa çështjeve shumë të ndjeshme dhe me përmasa të frikshme, të lindura prej keqqeverisjes së sotme (kujto shpërthimin tragjik të Gërdecit të lidhur ngushtë me trafikun e municioneve, abuzimet e mëdha ligjore e financiare për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës etj.), formulime të tilla antikushtetuese të çojnë në mendimin se, kështu as më pak e as më shumë synohet që titullarit qendror të akuzës t’i bëhet shantazh e presion, në rast nevoje, për të qenë ‘i kujdesshëm’ në identifikimin e autorëve të vërtetë të këtyre veprave, duke mos ushqyer ndonjë zell ‘të tepruar’ gjatë hetimeve.
Dihet që logjika, dobia dhe rregullat e pranuara të sjelljes së drejtë janë forcat, të cilat veç e veç ose bashkërisht trajtojnë progresin e së drejtës. Se cila nga këto forca duhet të mbizotërojë në një rast, kjo varet shumë nga rëndësia ose vlera krahasuese e interesave shoqërore që do të zhvillohen a pengohen nëpërmjet tyre. Por sidoqoftë, në hartimin e një ligji asgjë nuk duhet të bjerë erë paragjykimi, teke a leverdie arbitrare. Prandaj, ndoshta është edhe kjo arsyeja që Misioni Europian i Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS) në rekomandimet e tij paraprake ka theksuar, se “nuk është as e nevojshme dhe as e përshtatshme që tani të ndryshohet Kushtetuta në lidhje me Prokurorinë”, se “të paktën disa nga problemet që ajo po has nuk kanë të bëjnë me mangësi të Ligjit, por të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjeve të tjera”.
Mirëpo, nëse mungon logjika e drejtë për të marrë në konsideratë edhe këto rekomandime, nuk mund të thuhet për qeveritarët tanë, se u mungon logjika e mbrapshtë konsekuente për hartimin e Projektligjit të ri, në tekstin e të cilit (neni 17) parashikohet që neni 36 i Ligjit aktual të shfuqizohet. Bëhet fjalë për atë nen që u jep prokurorëve mbrojtje nga procesi penal, që përcakton shprehimisht se prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas tij, dhe se, edhe për këto raste, nëse Prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nuk jep pëlqimin për dërgimin në gjykatë të prokurorit, organi përgjegjës është i detyruar të lirojë prokurorin e ndaluar. Duke suprimuar këtë nen, fare qartë mund të legjitimohen veprimet e organeve policore, si pjesë të pushtetit ekzekutiv, për t’u sjellë një ditë me diell a një natë pa hënë, me arrogancë të neveritshme ndaj prokurorëve. Më keq akoma, për të yshtur kontingjente të veta, ose aventurierë gjithfarësh, që të provokojnë, bie fjala, në rrugë a në kafene etj, etj, prokurorë të veçantë, duke u krijuar atyre situata aspak të këndshme që mund të përfundojnë edhe me prangosje.
Përshtypje të tilla nuk janë aspak hipotetike. Sepse, sa për të marrë një shembull, në dijeninë e autorit të këtij artikulli, një prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përpara se të emërohej në detyrën e drejtuesit të kësaj Prokurorie ka qenë regjistruar, nga ca subjekte të interesuara për prishjen e hetimeve paraprake të disa çështjeve, plot katër denoncime, baza faktike dhe ligjore e të cilave shumë shpejt rezultoi në bllof. Mirë që nuk kishte dalë ende në dritë një ligj si ky që është projektuar, se ndoshta edhe ky prokuror mund ta gjente (qoftë edhe për pak kohë) veten papritur e papandehur pas hekurave!
Megjithëse në mbledhjen e fundit të Qeverisë, Kryeministri e veçoi paksa Projektligjin mbi Prokurorinë nga paketa e përgatitur prej Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se ai është ende në diskutim, fakti që nga ky diskutim disamujor Ekzekutivi nuk ka reflektuar mbi asnjë germë të tekstit të këtij akti, tregon se shumë shpejt mbi të do të hidhet firma, për t’ia përcjellë Kuvendit për miratim. Kjo do të thotë, po të shprehemi në mënyrë metaforike, se nën ushtimat e trompetave të luftës kundër korrupsionit po tentohet që organi i akuzës të kërcënohet për t’u vënë nën akuzë, kurdoherë që rrezikohet të dalë në pah korrupsioni i pushtetarëve të lartë, i familjeve dhe rrethit miqësor të tyre. Por në të vërtet, ministri i Drejtësisë, Kryeministri dhe tek e fundit, të gjithë parlamentarët bashkë mund të bëjnë ligj vetëm kur ka boshllëqe në fusha përkatëse. Madje edhe brenda boshllëqeve, kufizimet që shpesh nuk është e lehtë të përcaktohen, por që ndjehen, sado të pakapshme që të jenë, ca caqe ia vënë veprimtarisë së tyre. Ata mund të ndërhyjnë për të plotësuar burimet formale, por nuk mund t’i cenojnë për shumë kohë parimet e organizimit juridik të sanksionuara në mënyrë eksplicite ose implicite. Sepse, siç thoshte Sharmoni në veprën e njohur të tij “La Renaissance du droit naturel”: “Qëllimet e të drejtës mishërohen në koncepte që zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe që nuk mund të kërkohet t’u përgjigjen në çdo hap nevojave të veçanta”. Aq më pak nevojave të ethshme personale ose të grupit, që bien erë kriminalitet dhe korrupsion. Ndryshe, e drejta dhe siguria që përftohet prej saj do të ishin të paarritshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)