E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Të përndjekurit, kapital në shoqëri

Nga Besim Ndregjoni 

Te flasësh apo të shkruash për përndjekjen politike shqiptare nuk është e lehtë, se ke të bësh me qëndresë, vuajtje, tortura , vdekje tragjike, që kanë ndodhur në vendin tonë mbi një shtrese fisnike, elite e kombit, që përfaqëson 30% të popullit shqiptar. Në këtë bilanc tragjik, shoqëria duhet të ketë mirënjohje, si virtyt shekullor i racës sonë arbërore. Vuajtja, qëndresa, e kësaj shtrese, fillojnë që në Luftën e Dytë Botërore, në atë luftë ku mbiu dhe u rrit diktatura me e egër e njerëzimit, komunizmi.
Mirënjohje e vlerësim, për ata që kanë vuajtur nga lufta civile qe nga viti 1943, e ne vazhdim. Për te gjithë të vuajturit e totalitarizmit komunist, stalinist shqiptar.
E vërteta është se deri më sot ndaj këtij martizimi nuk janë plotësuar detyrimet e përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare, si ne aspektin ligjor dhe moral, nga shteti e as nga shoqëria. Pjesa me e madhe e ish-të persekutuarve politikë, përveç lirisë së fjalës nuk përfituan asgjë tjetër nga “demokracia alla shqiptare”. Sot pjesa dërrmuese e tyre jetojnë në kushte të vështira. Ndërsa fajtorët, ata që nuk duhet ta kenë ndërgjegjen të qetë, mbështetësit e regjimit, politikanë, shkrimtarë e artistë, publicistë, historianë etj. etj, jo vetëm që s’njohën pendesën ndaj tyre, por nuk ndërmorën asnjë veprim gjatë këtyre 18 viteve pluralizëm, qoftë dhe atë moral, për të lehtësuar vuajtjet e të mbijetuarve, vuajtjet e fëmijëve dhe gjithë të afërmve të këtyre demokratëve të parë, të paktën duke zbardhur të vërtetën, të hiqnin baltosjen ndaj tyre. Kurse gjithçka në të kundërtën, nuk u duket e tepërt edhe heshtja. Ata, duan të zhysin në errësirë krimet, imoralitetin, gjithçka çnjerëzore. Ata duan ta ruajnë historinë siç e kanë shkruar, të ruajnë mitet e krijuara prej tyre, ta mbajnë përsëri shoqërinë shqiptare të indoktrinuar; gjithë ata, që ishin “ skllevër” dhe bujkrobër për të cilët gjoja se ishin më të lirët dhe më të lumturit në botë! Bëhet fjalë për ata idealistë fatkeqe e fanatikë të indoktrinuar: “Historinë e shkruajnë fitimtarët”, thoshin, por historia e shkruar nga fitimtarë totalitaristë, nuk është histori. Akoma nuk ka fjalë që mund ta përcaktojnë atë! Shtrohet pyetja :
Çfarë është ndrequr në këtë histori..!? Tmerrohesh kur lexon ne tekstet shkollore të historisë se sotme: se historia e diktaturës më të egër në botë, qenkësh histori njerëzore! E pabesueshme dhe e pa moralshme, mburrja e tyre me këtë histori.
Sa e rëndë paska qenë sfida e regjimit të komunizmit! Nuk jam më në gjendje të përcaktoj se si do të përfundojë kjo. E domosdoshme për shoqërinë sot është botimi i dokumenteve të këtyre luftëtarëve të lirisë, për qëndresën dhe vuajtjet çnjerëzore që përjetuan. Çdo i përndjekur apo pjesëtar i familjes që provoi mbi shpinë këtë tragjedi, duhet sa më shpejtë, të shkruajë dhe të dokumentojë tragjedinë që i ndodhi në familje, atë që ndodhi në vendin tonë për 4 dekada të sistemit totalitare dhe të asaj shfarosje të elitës së kombit nga komunizmi gjakatar. Botimet e atyre që kanë vuajtur, ngjallin kujtime të dhimbjeve shumë të mëdha e sidomos për ata trima që u pushkatuan, për ata që humbën jetën burgjeve, ata që dolën të gjymtuar nga torturat. E vërteta e botimeve janë çmallje, sepse na kujtojnë përveç ferrit, edhe kënaqësitë e gëzimet e veta, madje edhe bukurinë e atij përballimi fisnik. Sot, me bindje them se shkrimtari amerikan, Toro ka pasur të drejtë kur ka shkruar; “Në një vend ku skllavëria mbrohet me ligj, vendi më i përshtatshëm për një qytetar të ndershëm është burgu”. Historitë njerëzore të qëndresës së të përndjekurve politikë ndaj diktaturës, i japin kënaqësinë e lartë, si artit, poezisë, muzikës, pikturës… si ne kohen e përndjekjes politike, të përjetojnë kënaqësinë e ruajtjes së personalitetit, të dinjitetit edhe në atë të vërtetë që ishte, ferr. Prandaj shtrohet pyetja:
Pse s’jemi të lumtur sot, dhe cilat janë arsyet e vuajtjeve tona të tanishme?
Vuajmë pasojat traumatike apo përjetojmë; sërish faje të reja prej mëkatarëve të vjetër? Këto botime duhet tua kujtojnë; në radhë të parë gjithë personalitetet e shkencave shoqërore, gjithë personalitetet shtetërorë e politikë, tërë shoqërisë civile, të cilët duhet t’i shpjegojnë t’iu japin përgjigje këtyre pasojave. Me shkrimet e tyre, ata, duhet t’i kurojnë këto plagë, duhet t’u japin fund lotëve dhe vuajtjeve.
Me dëshirën e mirë për të kontribuar, po shpreh disa mendime personale mbi këto probleme me shpresën se ndoshta mund të ndihmoj sadopak në këtë mision njerëzor.
Kontakti me realitetin, vetë koha, zhvillimi i jetës, i zhduk ose ua zbeh bukurinë ëndrrave. E vërteta është që ne e idealizonim shoqërinë tonë me Perëndimin, ne e identifikonim demokracinë me lumturinë, mirëqenien, gëzimin, sigurinë etj. Në të vërtetë, arritja e tyre varet sidomos nga kultura demokratike, nga idetë, nga morali i një shoqërie. Por nuk është që kjo e vërtetë, nuk ka shkaktuar këtë dhimbje të madhe. Dhimbje shkaktojnë sot padrejtësitë si shkelja e të drejtave të njeriut, veprimet dhe mosveprimet e paligjshme, ato të pamoralshme, jo vetëm të shtetit, por dhe të shoqërisë, të politikës dhe të shoqërisë civile. Me shumë të drejtë një studiues danez në sferën e rehabilitimit të të mbijetuarve të torturës thotë se: “të mbijetuarit e torturës sot nuk vuajnë më pak nga ajo që nuk bëjnë njerëzit e mirë, sa nga ajo që bëjnë njerëzit e këqinj.”
Por çfarë nuk po bëjnë njerëzit e mirë?
Edhe mbas 18 vitesh të përmbysjes së totalitarizmit, ish-të përndjekurit pothuajse nuk janë rehabilituar në drejtimin moral, shëndetësor, ekonomik dhe arsimor. Akoma ky komunitet nuk është integruar, sepse ende asnjë “torturues” nuk është dënuar ose diskredituar publikisht. Akoma diktatori më antihuman dhe xhelat i Evropës Lindore vazhdon të jetë “Hero i Popullit”, të tillë janë sot dhe shumë xhelatë të tjerë. Iniciuesi dhe vepruesi i krimit dje, sot, te flet për të drejtat e liritë e njeriut, për pronat, dhe do te alarmoje gjithë kancelaritë demokratike euro-amerikane se i shkelen të drejtat e tij, pa e vrarë ndërgjegjja se dje shkoi ne ferr intelektualet vetëm se kërkonin liri, u sakrifikuan me jetë, për këtë të drejtë.
Përse hesht maxhoranca e djathtë shqiptare? Përse heshtin historianët dhe së fundi, përse heshtin Qeveria dhe Parlamenti shqiptar, të cilët harresën ndaj këtyre krimeve nuk duhet ta lejojnë, padrejtësi, paturpësi çnjerëzore...Perse heshtin ndaj dënimit të krimeve të komunizmit.
Shoqërisë, konkretisht duhet t’i jepet dokumenti i krimeve të pafalshme të Enver Hoxhës dhe totalitarizmit komunist shqiptar, që ajo të kuptoje se çfarë fataliteti po bëhet sot me mbrojtjen që u bëjnë disa artiste veprave te tyre të realizmit socialist, siç është Mozaiku i vendosur në qendër të Tiranës në balloren e Muzeut Kombëtare. Kjo ballore, simbol i diktaturës, i bën karshillëk mijëra vrasjeve me e pa gjyq të shqiptarëve që kërkonin liri e demokraci. Sesa hidhërim shkakton tabloja e Guri Madhit, mbledhja e partive komuniste në Moske, ku ish-diktatori Hoxha paraqitet si një hero, dhe Hrushovi e Kadari, këta të mbijetuar të torturës së regjimit (stalinist) të strukur si minj të tmerruar para gishtit të Enverit. Dhe këtë tablo e përdori si logo Universiteti Europian i Tiranës me moton: “A e bën dot?”, “Universitetit Europian i Tiranës”. Nënkuptimi; E. Hoxha e shkëputi Shqipërinë nga Rusia gjysmë aziatike dhe e çon drejt Evropës. Por në të vërtetë e shpuri në Azinë e Largët. A e dinë këta “liberalë” se pa rolin e Hrushovit, nuk do të kishim kalimin e këtyre vendeve nga Totalitarizmi Stalinist në regjime gjysmë totalitare, dhe se pa këtë modernim s’do kishte përmbysje të komunizmit në kampin e Lindjes?
A, e dinë këta, se Enveri e bëri këtë vetëm për të ruajtur pushtetin personal, dhe kjo u pagua më 1960-ën me jetën e qindra të pushkatuarve, mijëra të burgosurve, mijëra familjeve të internuara. Vazhdonte genocidi i vitit 1944. U ndalua besimi në Zot, u zhduken apostujt te religjioneve fetare, u ndalua e drejta për studimet, fëmijëve të persekutuarve politikë dhe të deklasuarve, ishte dhe është dhe vazhdon dhe sot, persekutimi i shtresës së pasur të “kulakëve” duke ju mohuar pronën e tyre të trashëguar me vendime gjyqesh staliniste etj. Ky mund të quhet një genocid i vërtet kulturor dhe pasuror. Dhe të gjitha këto ndodhnin, kur në Evropën Lindore u hoqën ose u reduktuan në minimum. Nuk mund të mos shqetësohesh kur Mbretin Zog, shtetformuesin, e pasqyrojnë me një fotografi të veshur si ndonjë pasha me dy badigardë. Zogun duhet ta portretizonin me foto-emblemën e dasmës euro-amerikane, të veshur me frak, në krah me aristokraten katolike hungareze, Mbretëreshën Geraldinë. Dhe kështu në krah të posterit në fund të gazetës të shkruhej: “A e bën dot?”, kjo do te ishte logua e së vërtetës zotërinj “liberalë të Universitetit Europian të Tiranës, dhe jo tabloja e Guri Madhit. Shtetin modern europian e krijoi Ahmet Zogu dhe jo diktatori Enver Hoxha.
Drejtësia, paqja, rehabilitimi nuk mund të realizohen në totalitarizëm ashtu si në gjithë diktaturat klasike; as me dënimin, heqjen e diktatorit dhe dhënien e një amnistie. Në totalitarizëm kemi të bëjmë me luftë klasore, me indoktrinimin e shoqërisë, në përfshirjen jo vetëm të policisë, por të gjithë shoqërisë në dënime, persekutime, diskriminim, përbaltje etj. Kjo është e vërteta!.
Me vdekjen përfundon aktiviteti, krijimtaria e njeriut. Por shpirti jeton në përjetësi në parajsë ose ferr. Kujtimi i tij, emri dhe vepra e tij vazhdojnë të udhëtojnë në kujtesën e kombit edhe pas vdekjes.
Ndërsa njerëzit e shquar (për mirë apo për keq) jetojnë në pafundësi në parajsën ose ne ferrin e historisë.
Totalitarizmi nuk u kufizua vetëm me burgosjet, internimet e dënimet me vdekje. Ai shpif dhe ndyn emrin, reputacionin dhe opinionin e fituar duke i poshtëruar si armiq të tij, këtë përjetoi për shumë dekada klasa e të përndjekurve politikë shqiptarë.
“Shpif, shpif se diç do mbetet”, thotë urtësia njerëzore. Shumëkush e ka të vështirë të pranojë faje politike, apo vepra për motive të dobëta, ose krime ordinere. Kur i thua se i kanë pranuar nëpër tortura të përgjigjen: përse nuk i përgënjeshtron në gjyq. Por ata nuk dinin se paralajmëroheshin ata që dënoheshin apo të thoshin të vërtetën para ekzekutimit me vdekje do të torturoheshin deri në atë shkallë, sa që do të pranonin me mire vdekjen. Edhe ata që nuk prisnin dënim me vdekje, bindeshin me kopaçe nga hetuesia se kishin në dorë jo vetëm zhdukjen, por kthimin e burgosjes në një ferr të vërtetë. Ajo që i ka thyer ka qene kërcënimi për ndëshkime të përbindshme ndaj familjarëve. Të persekutuarit e mposhtur me shantazhe janë më fatkeqët. Për ta mbetet, më e rëndësishme e vërteta mbi torturat si mekanizëm monsturoz i përbaltjes dhe trillimeve.
Së fundi për autorët e krimeve, ata, të shpifjeve, publikimi i këtyre botimeve është dhe një rishfaqje fantazmash të viktimave. Të shpresojmë se kjo te ndikojë edhe në pendesë dhe konfesion te ata, që janë autorë të betejës e tragjedisë njerëzore. Ndërsa brezi i ri mund të reflektojë si kuptim i drejtë i së kaluarës dhe si një mësim për të mos rrezikuar viktimizimin e tij nga një tjetër totalitarizëm i ri si ai komunist. Prandaj të përndjekurit politikë shqiptarë sot janë kapitali moral më i çmuar i kësaj shoqërie.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›