Wilfried Martens, president i Partive Popullore Evropiane, konfirmon në një intervistë televizive, mbështetjen për PD-në në zgjedhjet e 28 qershorit

“Këto 4 vitet e qeverisjes ‘Berisha’, periudhë progresi, stabiliteti, për një të ardhme evropiane të Shqipërisë”
Wilfried Martens president i Partive Popullore Evropiane e lidh ardhjen e tij në Shqipëri me zgjedhjet e pritshme parlamentare. Me synimin që sikurse thotë Martens në një intervistë për TV “Klan”, të mbështesë drejt fitores anëtarin e Partive Popullore Evropiane, Partinë Demokratike të Shqipërisë të drejtuar nga kryeministri Berisha. Martes e mbështet këtë bindje të tij në fitoren e demokratëve në performancën e katër viteve të qeverisjes Berisha.
Zoti President! Cili është qëllimi kryesor i vizitës suaj në Tiranë?
Të mbështes kryeministrin Berisha për fushatën elektorale, si President i Partive Popullore Evropiane, familja më e madhe politike në Evropë. Ne po e mbështesim atë dhe politikat që ndjek për të transformuar këtë vend, për t’i dhënë atij një të ardhme euroatlantike, po e mbështesim që ato çfarë ka bërë të njihen si vend anëtar i NATO, por dhe ajo çfarë po bën mbi perspektivën evropiane, çfarë është shumë e rëndësishme për ne. Dhe ne e shohim të ardhmen e Shqipërisë në Evropë, pra unë do ta mbështes atë dhe është shumë e rëndësishme që ai të mund të vazhdojë punën për stabilizimin e vendit për progresin e shënuar ekonomik dhe social të vendit por dhe negociatat e pritshme me BE. Ne do ta mbështesim atë dhe do ta bëjmë.
Pra, ju mendoni se PD ka shanse të mira për t’u rikonfirmuar për një mandat të ri në këto zgjedhje?
Mendoj se pas gjithë asaj çfarë ai ka bërë sidomos në këto katër vitet e fundit, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët ta vazhdojnë këtë punë. Më kujtohet kur erdha këtu, më shumë se 15 vite më parë në 1993, prej atëherë ka ndryshim të madh dhe siç e thashë të shënuar, sidomos në këto katër vitet e fundit që janë periudhë progresi, stabiliteti, për një të ardhme evropiane të Shqipërisë.
Partia Demokratike e kryesuar nga kryeministri Berisha ka dy objektiva kryesore në programin e ri qeverisës liberalizimin e vizave brenda vitit 2010 si dhe anëtarësimin në BE, jo më larg se 2013. A janë këto objektiva realiste?
Janë dy objektiva të ndryshëm dhe të dy shumë të rëndësishëm dhe thelbësor për Shqipërinë. Liberalizimi i vizave është më i shpejtë dhe siç unë di, kryeministri ka thënë se do ta bëjë këtë në një periudhë prej 12 muajsh. Mendoj se kjo është domosdoshmëri. Ajo çfarë ai ka bërë, ndryshimi i vendit duke njohur dhe realizuar të gjitha kriteret evropiane për të mundësuar liberalizimin. Ne do ta mbështesim atë. Pra mendoj se është një objektiv realist edhe kalendari i punës në këtë funksion është realist. Do të realizohet besoj dhe ne do ta mbështesim. E dyta anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Siç dhe e dini, ne patëm një zgjerim të jashtëzakonshëm të unionit në vitin 2004, sidomos në vendet e Evropës Qendrore. Jemi tashmë një popullsi prej më shumë se gjysmë miliardi qytetarësh europiane. Jam i bindur se e ardhmja e Shqipërisë, por dhe gjithë Ballkanit është në Evropë. S’do të jetë e lehtë për t’ia arritur, por mendoj se me politikën e qeverisë Berisha në fushën ekonomike, të zhvillimeve demokratike, në luftën ndaj korrupsionit, po realizohen të gjitha detyrimet që e bëjnë të mundur këtë. Dhe në çdo rast, Partia Popullore Evropiane është totalisht në favor për ta filluar dhe mbështetur këtë proces.
Wilfried Martens politikan belg me një karrierë të gjatë politike
Wilfried Martens është një politikan belg me një karrierë të gjatë politike. Të paktën 9 herë kryeministër i Belgjikës, katër herë prej vitit 1979 deri në 1981 dhe 5 herë prej 1981 -1992. Ai është bashkëthemelues i Unionit të Partive Popullore Evropiane në vitin 1976 dhe është President i saj prej 1992. Karrierës së pasur politike, i shtohen gjithashtu një seri vlerësimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, shquan nderimi në 1998 me Çmimin “Karli i V” për kontributin e tij në BE.