Berisha shmang çështjen çame
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shmangu dje tërësisht një nga çështjet kyçe në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Greqisë. Shefi i qeverisë, gjatë konferencës me homologun grek, Kostas Karamanlis, nuk përmendi për asnjë moment çështjen çame, ashtu sikurse nuk pranoi të kishte pyetje nga mediat e pranishme. Një ngjarje kjo e rrallë dhe pa precedent në historinë e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kostas Karamanlis mbërriti dje në mesditë për një vizitë dyditore në Shqipëri. Në aeroportin kombëtar ai u prit nga homologu shqiptar, Sali Berisha, dhe më pas, të shoqëruar edhe nga delegacionet përkatëse, dy zyrtarët e lartë udhëtuan drejt selisë së qeverisë. Pas bisedimeve tet a tet midis dy kryeministrave, dy ministrat e Jashtëm, Doras Bakojanis dhe ai shqiptar, Lulzim Basha, nënshkruan marrëveshjen për ujërat territorialë, duke ua lënë vendin dy kryeministrave, të cilët dhanë një deklaratë para mediave. Pala shqiptare, që kishte organizuar komunikimin me median, pas deklaratave për shtyp nuk e lejoi median të bënte asnjë pyetje për dy kryeministrat. Vendim ky i marrë pas kërkesës së delegacionit grek, që kanë dashur të shmangin pyetjet për çështjen çame. Një ditë më parë, shoqata "Çamëria" protestoi në sheshin "Skënderbej", duke kërkuar që kjo vizitë t‘i shërbejë konsolidimit të marrëdhënieve mes dy popujve. Shoqata kërkoi zgjidhjen e çështjes së tyre, e cila ka mbetur peng i historisë. Tre janë çështjet që shoqata ka ngritur dhe ka kërkuar të diskutojë me Kryeministrin grek, siç është lejimi i moshave të mëdha të shkojnë pranë varreve të të parëve, ngritja e një memoriali në Tesproti në nderim të viktimave të pafajshme të popullsisë çame, gjatë viteve 1944-1945 dhe nisja e bisedimeve mes dy qeverive për zgjidhjen e çështjes çame, për kthimin e pronave. Ata kanë deklaruar se dërguan një letër në ambasadën greke, duke kërkuar një takim me Kryeministrin Karamanlis, por nuk morën asnjë përgjigje. Kryeministri Berisha, gjatë deklaratës për shtyp, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivel shumë të mirë. Nisur nga kjo, Berisha falënderoi shtetin grek për mbështetjen që kanë dhënë për Shqipërinë në anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE. Më tej, Berisha theksoi se nuk ka asgjë mes vendeve tona që të mbetet pa u zgjidhur përmes dialogut. Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha fushat mes dy vendeve, duke veçuar investimet greke në vendin tonë. Gjithashtu, ai theksoi se një tjetër fushë ku bashkëpunimi është shumë i mirë mes dy vendeve, është edhe sektori energjetik. Pjesë e bisedës mes tij dhe homologut grek, tha Berisha, ka qenë edhe çështja e minoritet grek në Shqipëri dhe emigrantëve shqiptarë në Greqi. "Ne jemi të kënaqur për progresin në të gjitha aspektet. Unë e sigurova Kryeministrin Karamanlis se synimi i qeverisë sime është të mbështesë minoritetin grek që jeton në Shqipëri", u shpreh Berisha. Po ashtu, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se ministritë përkatëse do të bashkëpunojnë në kuadër të sigurimit të pensioneve për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, por edhe për shtetasit helenë që ndodhen në Shqipëri. Nga ana e tij, Karamanlis shprehu mbështetjen e Greqisë për çështjen e liberalizimit të vizave. Më tej, ai theksoi se Athina do ta mbështesë dhe do të inkurajojë perspektivën evropiane të Shqipërisë. Karamanlis përmendi zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit sipas standardeve, luftën kundër korrupsionit, si dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve, si kushte për afrimin e vendit me familjen evropiane. "Vizita ime vjen në një kohë të rëndësishme, kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s vetëm pak javë më parë", tha Karamanlis. Kryeministri grek vlerësoi hapat e bërë nga dy vendet, duke theksuar se minoriteti grek në Shqipëri është një nyje e rëndësishme në marrëdhëniet mes fqinjëve. Sipas tij, emigrantët shqiptarë japin një kontribut të çmuar për ekonominë greke dhe shqiptare.
Pritja
Topi kërkon intensifikim
të bashkëpunimit mes shteteve
Çështja çame është "harruar" të diskutohet edhe në takimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis. Takimi mes Topit dhe Karamanlis është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, larg vëmendjes së mediave, por zyra e shtypit të Presidentit bëri të ditur pikat kryesore, ku është fokusuar biseda. Dy zyrtarët e lartë kanë diskutuar mes tyre për realizmin e reformave të Shqipërisë, të cilat sollën anëtarësimin në NATO dhe aspiratat që vendi ynë ka për t‘u bërë sa më shpejt pjesë e familjes së madhe të BE-së. Zyra e shtypit të Presidentit bëri të ditur se gjatë bisedës me Karamanlis, kreu i shtetit ka vlerësuar si shumë të mira marrëdhëniet e gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Duke shprehur bindjen se dhe kjo vizitë dhe bisedimet që po zhvillohen me këtë rast, në frymën e miqësisë dhe vizionin e një bashkëpunimi me interes të ndërsjellë, do t‘i shërbejnë konsolidimit dhe thellimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve. Presidenti Topi e ka njohur Kryeministrin Karamanlis me disa prej momenteve më të rëndësishme në ecurinë e reformave integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në përgatitjen e klasës politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë për të realizuar me sukses zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh në aspektin ekonomik u nënvizua si një nevojë dhe perspektivë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Takimi
Rama informon Karamanlis
për zgjedhjet e qershorit
Kostas Karamanlis është pritur dje edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky takim ishte pjesë e axhendës së vizitës së shefit të qeverisë greke dhe ashtu si me zyrtarët e tjerë të lartë është zhvilluar jashtë vëmendjes së mediave. Por zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës bëri publike nëpërmjet një njoftimi për shtyp disa nga pikat kryesore ku është përqendruar biseda mes kreut të opozitës shqiptare dhe Kryeministrit grek. Në njoftim thuhet se "gjatë takimit të zhvilluar u bisedua për disa çështje të rëndësishme në vend, ku procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri zuri vendin kryesor". Gjithashtu, theksohet më tej "në bisedën miqësore mes dy liderëve, tema kryesore ishte rëndësia dhe nevoja e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor, gjë e cila do të ishte një faktor domethënës dhe vendimtar për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, rëndësinë e pjesëmarrjes në votime, sistemi elektoral, etj". Ashtu si edhe me zyrtarët e tjerë, duke vërtetuar edhe njëherë mediat greke në shkrimet e tyre të ditës së sotme, as me kryetarin e opozitës Edi Rama, çështja çame nuk ka zënë asnjë hapësirë. Rama dhe Karamanlis duket se kanë respektuar një marrëveshje të heshtur dhe e kanë shmangur këtë çështje, megjithëse shoqata "Çamëria" protestoi një ditë më parë në shesh për të kërkuar që ata të ishin pjesë e diskutimeve mes delegacionit grek dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Mediat greke:
Tirana, pakt heshtjeje
për çështjen çame
Vizita e Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, në Shqipëri, ka zënë një vend të rëndësishëm edhe në mediat greke. Këta të fundit kanë zbuluar disa nga detajet e kësaj vizite në Tiranë dhe përqendrimin kryesor të diskutimit mes Kryeministrit grek dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar. Sipas mediave greke, Kryeministri grek ka marrë garanci se në Tiranë nuk do të përmendet çështja çame. Këto media theksojnë se vizita në Shqipëri e Kryeministrit grek do t‘i kushtohet zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe Greqia do ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin në BE. Këto media kanë theksuar se përpara realizmit të kësaj vizite mes ministrive të jashtme të dy vendeve ka pasur prapaskena lidhur me ato që duheshin dhe nuk duheshin prekur në bisedime. Së pari, çështja çame, ku sipas mediave greke Tirana ka dhënë garanci të plotë se kjo çështje nuk do të përmendej në asnjë prej takimeve me krerët më të lartë të shtetit, dhe së dyti është dhënë garancia e nevojshme që çështja e shkollimit të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e tyre amtare në shkollat shtetërore nuk do të ngrihet fare, por do të inkurajohen nismat private, të cilat do të alternohen me iniciativat e karakterit lokal.
Kryeparlamentarja
Topalli diskuton për
perspektivën evropiane
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje Kryeministrin e Greqisë, Kostas Karamanlis. Gjatë këtij takimi, Kryetarja e Kuvendit informoi kreun e qeverisë greke për zhvillimet pozitive që vendi ynë ka pësuar gjatë këtyre katër viteve në realizimin e reformave kryesore. Sipas saj, një arritje e madhe është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aspirata për t‘u bërë pjesë e BE-së. Gjithashtu, pjesë e bisedës mes tyre kaq qenë edhe liberalizimi i vizave. Pas këtij takimi me Kryetaren Topalli, Kryeministri Karamanlis mbajti një fjalë përshëndetëse në sallën e Parlamentit shqiptar para deputetëve. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se "BE i jep rëndësi zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare". Kryeministri grek theksoi edhe një herë mbështetjen e qeverisë së tij në orientimin euroatlantik të Shqipërisë. Gjithashtu ai uroi nga foltorja e Kuvendit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke theksuar se Shqipëria do të kontribuojë në një klimë konstruktive në rajon.
Xhufi: Heshtja ishte veprim skandaloz
Historiani dhe politikani Pëllumb Xhufi e cilësoi dje si skandaloze heshtjen e palës shqiptare për çështjen çame. Në një prononcim për gazetën "Shqip", Xhufi vlerësoi se vizita e Karamanlis ishte e rëndësishme për marrëdhëniet që kanë dy vendet dhe hapësirat e mëdha të bashkëpunimit edhe në kuadrin e integrimit. Sipas tij, kjo vizitë u kurorëzua me nënshkrimin e një marrëveshjeje për përcaktimin e kufirit detar midis dy vendeve, por nuk u shoqërua nga ato pritshmëri pozitive apo negative që kishte në prag të saj. "Konkretisht lidhur me problemin që ju shtruat (Çamërinë), ne nuk dimë se çfarë është biseduar në takimin tet a tet mes dy kryeministrave", u shpreh Xhufi. Nga ajo që u deklarua në komunikimin me median, shtoi Xhufi, u dhanë shumë pak elementë për të gjykuar lidhur me atë çka kjo vizitë sjell të re dhe avancon në marrëdhëniet midis dy vendeve. "Do të thosha se ato pritshmëri të cilat qëndrojnë në shqetësimet e opinionit publik dhe politikës shqiptare kanë të bëjnë me disa çështje të cilat kanë qenë në axhendën e përbashkët. Nga pala shqiptare kanë qenë problemet e njohura të heqjes së ligjit të luftës, nënshkrimit të marrëveshjeve të kufirit tokësor, çështja e njohur çame, apo edhe çështja e pronave të qytetarëve shqiptarë, pasuria e të cilëve u ngri pas ligjit të vitit 1940 që qëndron në fuqi", nënvizoi Xhufi. Këto probleme, konstatoi ai, për fat të keq po nxirren nga axhenda e bisedimeve dypalëshe dhe kjo për faj të palës shqiptare. "Që në bisedime të tilla, më shumë ndjek humoret dhe dëshirat e bashkëbiseduesve, se sa interesat e vendit", insistoi Xhufi. Ky, vijoi ai, është një qëndrim që po bëhet gjithnjë e më shqetësues për klasën politike shqiptare. "Pra heqja dorë nga temat kryesore në bisedimet me palën greke siç është edhe heshtja skandaloze për probleme të tilla me ndjeshmëri të thellë në opinionin shqiptar si ajo çame", theksoi Xhufi. Në vlerësimin e tij, pala greke dhe diplomacia e saj e jashtme vazhdon në mënyrë koherente axhendën e zakonshme politike në raport me Shqipërinë.