E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet edhe Drogba

Pas Nicolas Anelkas, edhe Didier Drogba planifikon të largohet nga Chelsea gjatë dimrit. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë nuk e ka ndërmend ta vazhdojë kontratën me klubin londinez, pasi që sezonin e fundit më shumë qëndroi në bankën rezervë. Për këtë, ish futbollisti i Olympique Marseilles do ta kërkojë një klub që e paguan mirë dhe t’i bashkohet qysh në janar.

“Nuk na intereson vazhdimi i kontratës me Chelsean për një vit. Në moshën që ka, Didier nuk ka se çka të demonstrojë si lojtar. Kur një futbollist i kalon 30 vjet, duhet të mendojë që të shkojë në një klub që e paguan më së miri. Për këtë, ai do të shkojë aty ku oferta ekonomike do të jetë më e mira. Mund të jetë kjo në SHBA, Katar, Rusi ose në ndonjë pjesë të Azisë. Kudo që shkon, këtë e bën për një mundësi më të mirë financiare”, thotë menaxheri i futbollistit, Thierno Seydi.

Ai ka konfirmuar se për 33 vjeçarin kishte shprehur interesim klubi italian Milan, por që kjo ofertë ishte refuzuar, ngase Drogba nuk dëshiron të shkojë askund si huazim. “Didier do ta lë gjithsesi Chelsean. Milani na ka kontaktuar dhe na ka ofruar një huazim, me mundësi blerjeje definitive gjatë verës, por kjo nuk na intereson. Ai do të shkojë aty ku i ofrojnë më shumë para”, përfundoi Seydi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›