E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana nuk ka mëshirë, e mund si në kampionat Apoloninë

Nga BUJAR RAMA

Bardheblutë kanë 12 pikë, si askush tjetër në fazën në grupe, duke treguar se do tu shkojnë deri në fund të dy kompeticioneve

Grupi A

Tirana             12 pik렠         9-2

Laçi                            7 pikë 7-4

Apolonia                    3 pikë 6-12

Shkumbini     1 pikë 6-11

APOLONIA – TIRANA 1 – 2

Shënues: Ribaj 58 / Bala, G. Lika 84

APOLONIA: Xhixha, Muçaj, Bualli, Naçi, Prifti (Agastra 46), Jovani (Papingu 60), Gërço, Ndoni, Mehmetaj, Ofoyen (Mahilaj 46), Ribaj. Trajner: Dh. Papuçiu.

TIRANA: I. Lika, Dabulla, Ahmataj, Kalaçi, Taku (G.Lika 70), Dushku, Tushe (Sina 46), Ferraj, Balaj, Hepple (Pisha 46), Morina, Trajner: H. Rubio.

Gjyqtarë: H. Llapra, R. Malaj, E. Palaj (Vlorë).

Kartonë të verdhë: Jovani, Gërxho, Taku.

Karton i kuq: Papingu

Apolonia dhe Tirana kanë përsëritur ndeshjen e javës VII të kampionatit, ku bardheblutë kanë fituar me të njëjtat shifra në Loni Papuçiu. Fierakët vazhdojnë të qëndrojnë stoikë dhe të mos fitojnë në fushën e vet as në kupë, duke bërë që sportdashësit të mos besojnë më se diçka e tillë, fitorja e Apolonisë, do të ndodhë ndonjëherë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dhimitër Papuçiu ka zhvilluar një lojë relativisht të mirë, por pa mundur ta shmangin fatin e humbësit edhe në fund të këtij 90-minutëshi.

Bardhejeshilët kanë pasur në gjirin e vet një formacion me shumë ndryshime, ku kanë zënë vend titullarë mjaft lojtarë të rinj, të cilët kanë pasur dëshirë, por e pamjaftueshme vetëm kjo për të përballuar një skuadër si Tirana. Fillimisht ka qenë një lojë pak a shumë e ekuilibruar, me një theks sulmues më evident tek Apolonia.

Të rinjtë fierakë mundohen me të gjitha forcat ta diktojnë Tiranën dhe loja përqendrohet në mesfushën mike, por pa ndonjë shkallë të lartë rrezikshmërie në portën e Likës. Është pozitiv treguesi i lojës te disa të rinj fierakë jo më shumë se 18-19 vjeçarë, si Naçi, Prifti, Papingu, Jovani, Bualli dhe Mahilaj.

Përpjekjet e vendësve do të nxjerrin në pozicione të volitshme shënimi Ribajn, i cili do të shpërdorojë mundësi të mira për Apoloninë, duke gjuajtur jashtë në minutën e 8-të dhe duke detyruar Likën të grushtojë bukur në minutën e 12-të. Më tej, ndeshja futet në rrjedha më të qeta e të ekuilibruara dhe janë miqtë që do të synojnë marrjen e epërsisë.

Ata janë më racionalë, më të qartë e më të saktë në dinamikën e lojës së vet dhe të rrezikshëm në kundërsulm, duke e drithëruar në shumë raste mbrojtjen e brishtë të Apolonisë. Bala dhe Morina janë pika e referimit për aksionet e bardhebluve dhe takimi bëhet më ritmik, më me nuanca.

Nga ana tjetër, fierakët ndihen disi më të çliruar dhe, duke dashur të prezantohen pozitivisht ndaj Tiranës, luajnë sikur të mos kenë çtë humbasin, ndonëse sulmi vazhdon të mbetet tendina e Akilit për myzeqarët. Për të ardhur në minutën e 39-të, momenti kyç i pjesës së parë, kur tiranasit do të kalojnë në avantazh me anë të të zakonshmit, shkodranit Bekim Bala, i cili ka shënuar golin e parë për bardheblutë.

Në pjesën e dytë Apolonia kërkon të barazojë dhe ka jo pak raste. Ribaj e ndien se në kupë nuk ka të njëjtin fat si në kampionat dhe kërkon të jetë ai futbollisti që do të ndryshojë shifrat negative. Në minutën e 58-të, i nënvlerësuar nga mbrojtësit e e Tiranës, sulmuesi i Apolonisë vërshon brenda zonës mike, gjuan saktë dhe barazon rezultatin.

Fierakët luajnë me 10 lojtarë pas minutës së 81-të, pasi i riu Papingu ka dalë me kartonin e kuq pas protestave ndaj gjyqtarit dhe në minutën e 84-t, i shërbyer nga Morina, Gilman Lika do të shënbojë golin e fitores për Tiranën, e cila ka siguruar kësisoj dhe kualifikimin e mëtejshëm për në Kupën e Shqipërisë, edhe pse janë edhe dy ndeshje të tjera për tu luajtur.

Pas ndeshjes

Dhimitër Papuçiu, trajner i Apolonisë: Në këtë ndeshje aktivizuam shumë lojtarë të rinj 17-18 vjeçarë, të cilët përbëjnë stolin e skuadrës sonë, për të parë më mirë vlerat e tyre. Në përgjithësi, jam i kënaqur nga loja e zhvilluar, edhe pse kemi humbur, pasi, në qoftë se do të kishim fatin me vete, i domosdoshëm në futboll, por edhe një qetësi e pak më shumë kujdes, mund dhe duhet të kishim marrë një rezultat tjetër.

Gjithsesi, ne e respektuam kompeticionin e kupës, edhe pse tashmë jemi eliminuar nga ajo, ndërkohë që e gjithë vëmendja jonë është përqendruar te ndeshja e së shtunës për kampionat, ku do të luajmë në fushën tonë me Pogradecin.

Hulian Rubio, trajner i Tiranës: Erdhëm për të fituar në Fier dhe ia arritëm qëllimit. Skuadra luajti përgjithësisht mirë, ndonëse përballë patëm një ekip që tregoi dëshirë në fushë. Ne vazhdojmë të jemi seriozë në të dy kompeticionet dhe, pasi kemi kaluar me sukses këtë takim, na duhet të kthejmë vëmendjen drejt kampionatit, ku do të luajmë një takim të vështirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›