E Diel, 1 Nëntor 2026

Lluka imiton ustallarët, duke realizuar dopietë, ndërsa korçarët pësojnë humbjen më të thellë të sezonit, edhe pse në kupë

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Luftëtari Skënderbeu     4-1

Shënues: Lluka 28, 50, Braho 74 (11-m), Shehaj 88 \ Riberio 61

Luftëtari: Kasma (Gërxholli 64), Këndella, Lazo, Brahimi, Zholi, Bistri, Lluka, (Kozaku 64), Grabova, Shehaj, Kermezo, Braho (Kalemi 81). Trajner: M. Hysi.

Skënderbeu: Llapanji, Buleci, Rezhda, Topulli (A. Skënderasi 70), Miho, Jaupllari, Topalli, Ribeiro, Xhafka (N. Rapa 60), Kame, Grboviç (Emini 46). Trajner: D. Kushe.

Kartonë të verdhë: Braho, Topalli (2), Rezhda

Kartonë të kuq: Topalli

Gjyqtarë: E. Dyrmishi, E. Biçaku (Tiranë), S. Ziri (F.Krujë)

Lluka me një dopietë,  Braho me 11-metërsh dhe Shehaj kundrejt golit të Ribeiros i kanë dhënë Luftëtarit një fitore të thellë, duke bërë që Skënderbeu të jetë ai në këtë takim për Kupën e Shqipërisë. Ashtu sikundër pritej, Luftëtari dhe Skënderbeu u paraqitën jo me formacionet  më të mira, të cilat do vihen në provë në ndeshjet për kampionat. Skuadrat mikse luftuan me egoizëm, pasi jo pak lojtarë të tyre kërkojnë afirmimin dhe vend në formacionet e para, kjo më shumë për vendësit.

Ndeshja filloi me 8 minuta vonesë për mungesë të autombulancës. Kanë kërcënuar Braho dhe Shehaj, por rast ideal pati Miho, që i vetëm me portierin gjuajti mbi traversë. Më pas, Zholi i zhdërvjelltë nga e majta krosoi te Lluka, që goditi me të majtën rrjetën. Kame dhe Kermezo u munduan, por nuk shënuan. Luka realizon dopietën, pasi dribloi disa korçarë, si për të imituar ustallarët e vet, Norën dhe Çaçon.

Ndërsa Ribeiro e rifuti Skënderbeun në lojë me atë ngushtim të përkohshëm të rezultatit. Por Shehaj fitoi një 11-metërsh dhe Braho gjuan, duke rrahur, së pari, traversën dhe topi përfundon në rrjetë. Pas këtij rezultati Luftëtari luan më lirshëm dhe shënon sërish. Është Shehaj kësaj radhe me një predhë nga rreth 20 metra që  fikson fitoren pokeristike 4-1. Kjo humbje nuk i prish shumë punë ndoshta Skënderbeut sa i përket kalimit të turit, por nga ana morale ndikon. E kundërta për gjirokastritët, që karikohen për ndeshjet e kampionatit.

Deklarojnë

Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Jam i kënaqur nga loja e ekipit tim. Në pjesën e parë u konstatuan disa defekte taktike, ndërsa në pjesën e dytë e zotëruam plotësisht dhe për pasojë shënuam edhe gola të tjerë. Besoj në vazhdimësinë edhe në kupë, por tani në fundjavë na pret një transfertë jo e lehtë në kampionat.

Dion Kushe, trajner i Skënderbeut U-19: Unë jam trajner i U-19 dhe erdhëm me ekipin tim, duke pasur Ribeiron, Topallin dhe Grboviçin nga ekipi i parë. Luftëtari e meritoi fitoren nga pikëpamja teknikotaktike. Nuk ishim keq, por  nuk e përballuam fizikisht dhe për mungesë përvoje  kundërshtarin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›