Vllaznia, futboll e këngë kundër Dinamos
Vllaznia-Dinamo është kryesfida që mbyll javën e 17-të të Kategorisë Superiore, por dhe vitin futbollistik diellor 2008. Përballja e 122-të historike midis tyre është një ngjarje futbollistike në “Loro Boriçi”. Jo vetëm se takohen fituesja e fundit e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia, me kampionen në fuqi e fituesen e Superkupës, Dinamon, por edhe për faktin e bukur se kryesuesit aktualë të Superligës (Vllaznia, 34 pikë) do të kenë përballë skuadrën e vendit të tretë (Dinamo, -8 pikë nga shkodranët), me të cilën do të ndeshen në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë (takimet luhen, më 25 shkurt e 11 mars 2009).
Takimi i tyre i fundit, që përkon me atë fazës së parë të sezonit aktual, përfundoi në barazim 1-1, por në përfundim të pjesës së parë të Kampionatit të 70-të Kombëtar, Vllaznia është me meritë kampione dimri, ndërkohë që ish-tekniku i Dinamos, tashmë i Vllaznisë, Agim Canaj, synon trofeun e parë kampion si trajner në karrierën e tij, që do të thoshte dhe titulli i 10-të i Vllaznisë. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në “Loro Boriçi”, statistikat ofrojnë një fitore të bujshme 3-0 të Dinamos, por gjithnjë “pjesë e marrëveshjes” së lëshimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia i fitoi të dyja takimet me blutë: 4-0 në Shkodër dhe 3-0 në “Tofik Jashari”, çka i hapi rrugën edhe fitimit për herë të gjashtë të Kupës së Shqipërisë (në finale Vllaznia fitoi 2-0 me Tiranë). Situata ka ndryshuar tashmë rrënjësisht jo vetëm se presidenti Valter Fushaj synon trofeun e dytë personal, por se edhe një fitore e shkodranëve do ta mbante në distancë të konsiderueshme ndaj Tiranës së vendit të dytë, që nga ana e saj do të përballet në kryeqytet me Bylisin e vendit të 9-të. Gjithsesi, me një aleat të kahershëm si Dinamo, llogaritë bëhen edhe në varësi të Kupës së Shqipërisë, ku skuadra e presidentit Besnik Sulaj synon edhe trofeun e 14-të në Kupën e Shqipërisë, që i mungon praktikisht nga viti 2003. Shkodranët e kanë parashikuar si festë përballjen me Dinamon, ndaj së cilës kanë regjistruar 33 fitore në 121 përballje (47 fitore Dinamo), madje përveç faktit se pritet një rekord shikuesish e pjesa e dytë do të luhet me drita (takimi fillon në orën 15:00, kur katër takimet e tjera të ditës së shtunë fillojnë në orën 13:30), por sipas lajmeve që vijnë nga kampi kuqeblu, një grup këngëtarësh me në krye të mirënjohurin Bujar Qamili, do ta zbukurojnë supersfidën me këngë popullore shkodrane. Organizatorët presin të paktën 12 mijë shikues në tribunat e stadiumit të dytë më të madh në Shqipëri pas “Qemal Stafës”, teksa kanë përcaktuat edhe çmimet e biletave, ku më të shtrenjtat janë ato të tribunës qendrore që kushtojnë 400 lekë, ndërsa ato përballë 300 lekë.
Lushnja-Shkumbini 1-1. Spaho del me të kuqe
Lushnja e Shkumbini ndanë nga një pikë në barazimin 1-1, në ndeshjen hapëse të javës së 17-të të Kategorisë Superiore, por me të veçantat se ishte skuadra e Vasil Bicit, që shënoi e para në “Tofik Jashari” dhe që mundi të mbajë rezultatin, edhe pse e përfundoi takimin me dhjetë lojtarë, pas largimit me karton të kuq të portierit Mikel Spaho në minutën e 85-të. Pas një pjese të parë pa gola, ishte sulmuesi beratas Klodian Arbëri ai që i dha avantazhit skuadrës lushnjare në minutën e 76-të, por pa kaluar dhjetë minuta, Shkumbini barazoi me sulmuesin e njohur gjirokastrite, Arlin Nora, në minutën e 84-t. Pas ndëshkimit me karton të kuq të portierit Spaho nga ana e gjyqtarit Ermion Sino, tekniku Vasil Bici hodhi në fushë portierin e dytë, Bejte, në vend të Klodian Arbërit. Spaho është portieri i dytë që del më të kuqe gjatë këtij sezoni, pas Orges Shehit të Partizanit, në takimin Apolonia-Partizani (3-1) në javën e 16-të. Ndeshja pati faza tensioni dhe në këtë takim u dhanë 8 kartonë të verdhë dhe 1 i kuq. Pas përfundimit të takimit, dy tifozeritë të pranishme në asnjanësin “Tofik Jashari”, shkëmbyen replika e fyerje ndaj njëra-tjetrës, aq sa u desh ndërhyrja e policisë lokale për të rivendosur qetësinë. Lushnja, që tani ndodhet në kuotën e 13 pikëve, 3 më shumë se Partizani i vendit të fundit (një ndeshje më pak, luan të shtunën me Flamurtarin), në ndeshjen e parë kundër Shkumbinit fitoi në Peqin me rezultatin 2-1 (java e 6–të). Për të dyja skuadrat kjo ishte ndeshja e fundit për vitin 2008.
Tirana do “gjel” Bylisin për Vitin e Ri
Tirana synon ta mbyllë me fitore pjesën e parë të sezonit 2008-2009 jo vetëm se 23-herë kampionët e Shqipërisë pësuan një humbje zhgënjyese me Flamurtarin (2-0) në Vlorë, por dhe se përballë ka Bylisin, ndaj të cilit barazuan në ndeshjen e parë në Ballsh (0-0) dhe dha sinjalin e parë të një krize të mundshme te skuadra e ish-trajnerit boshnjako-kroat, Blaz Slishkoviç. Edhe pse ka dy lojtarë të pezulluar, mbrojtësit titullarë Andi Lila e Abraham Alechenu, trajneri Agustin Kola (1 fitore, 1 humbje në kampionat) beson se skuadra e tij do të japë maksimumin në “Selman Stërmasi” për të mos bërë një hap fals ndaj formacionit të Hysen Dedjes e të komprometojë për të dytin vit radhazi kampionatin. Tirana ndodhet 7 pikë larg Vllaznisë kryesuese (34 pikë). Edhe barazimi do të konsiderohej si një humbje për drejtuesit bardheblu, financuesit më të mëdhenj të një skuadre futbolli në Shqipëri. Në nëntë ndeshjet e fundit midis tyre, nga sezoni 1999-2000, dy skuadrat kanë barazuar 3 herë, ndërkohë që 5 herë ka fituar Tirana e 1 herë Bylisi (1-0, sezoni 2000-2001).
Me një sulmues të rikthyer te goli si Daniel Xhafaj (i kërkuar së fundi nga kampionia e Iranit, shuma e transferimit përflitet në 300 mijë dollarë për dy vjet) dhe me një goleador si Migen Memelli (15 gola këtë sezon me fanellën e bardhebluve në të dyja kompeticionet), situata te Tirana ka ngjyra optimiste në përballjen e dytë sezonale me Bylisin dhe të 15-tën historike, ku supermacia e klubit më të vjetër kryeqytetas është e dukshme: 7 fitore, kundrejt 2 të Bylisit (5 barazime). Takimi, që do të fillojë në orën 13:30, do të gjykohet nga ndërkombëtari Albano Janku.
Elbasani kërkon fitore edhe për Arben Lazen
Elbasani do të luajë kundër Besës ndeshjen e parë pa pasur në tribunën “VIP” të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” presidentin Arben Laze, të ndaluar të mërkurën nga policia. Pas takimit të fazës së parë të humbur në Kavajë (1-0), bosi verdheblu e akuzoi ashpërsisht gjyqtarin Mentor Sopjani, pasi “xhaketa e zezë” akordoi penalltinë e shndërruar në gol nga Bekim Kuli, që përkoi edhe me fitoren e parë sezonale të Besës në shtëpi. Laze, i nervozuar me gjykimin e Sopjanit, i kërkoi këtij të fundit t’u paguante rrogat mujore të futbollistëve të Elbasanit. Tashmë, pas 16 javësh të luajtura, 2-herë kampionët e Shqipërisë ndodhen në vendin 8-të, me pesë pikë më pak se Besa e vendit të 4-t. Ndeshja e kësaj të shtune është e 110-ta midis dy skuadrave, ndërkohë që “pjata e fitoreve” anon dukshëm nga Besa: 47 fitore të kavajasve, kundrejt 33 sukseseve të Elbasanit (29 barazime). Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në konferencën e tij për shtyp, 24 orë pas arrestimit të Arben Lazes, pohoi se financat e skuadrës verdheblu janë të siguruara. Sipas tij, Laze kishte vetëm 44% të aksioneve, Bashkia e Elbasanit 33% dhe aksioneri tjetër Gentian Çërraga 23%.
KATEGORIA SUPERIORE
Java 17
E premte, 26.12.2008
LUSHNJA-SHKUMBINI 1-1
Shënues: K.Arbëri 75’, A.Nora 84
Karton i kuq: Spaho 85’ (Lushnja)
E shtunë, 27.12.2008
Elbasani-Besa Lulaj
Vllaznia-Dinamo Jemini
Tirana-Bylis Janku
Partizani-Flamurtari Sadiku
Apolonia-Teuta Mustafaraj
Renditja pas javës XVII
PIKË GSH GP
1 Vllaznia 34 25 13
2 Tirana 27 19 12
3 Dinamo 26 19 11
4 Besa 25 17 11
5 Teuta 24 12 9
6 Shkumbini* 24 19 17
7 Flamurtari 23 13 10
8 Elbasani 20 14 14
9 Bylis 17 12 19
10 Apolonia 15 16 15
11 Lushnja* 13 12 23
12 Partizani 10 10 20
27 Dhjetor 2008