E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli, “mbret” për Krishtlindje



Liverpuli regjistroi një fitore të pastër 3-0 kundër Bolton Uondersit. Golat për skuadrën e Rafa Benitezit u shënuan nga Riera (26’) të pasuar nga një dygolësh brenda pesë minutave i Kinit (53’ e 58’). Me këtë fitore Liverpuli vazhdon të kryesojë kampionatin anglez me 42 pikë, pas 19 ndeshjesh, një më shumë se Çelsi. Edhe formacioni i Luis Felipi Skolarit nuk e pati të vështirë fitoren kundër Uest Bromuiçit (2-0), falë dy golave të realizuar në pjesën e parë nga Didier Drogba (3’) pas një asisti të Xho Kol dhe Frenk Lampard (45’+2). Çelsi është skuadra që ka sulmin më të mirë në Premier Ligë, me 38 gola në 19 takime, me një mesatare 2 gola për ndeshje. Mançester Junaitid vuajti lodhjen e kampionatit botëror të klubeve (u shpall fitues) në ndeshjen e fituar minimalisht 1-0 në transfertë me Stok Sitin. Tevez realizoi në minutën e 83-të, ndërkohë që Stok Siti luajti me dhjetë lojtarë nga minuta e 72-të, pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të mbrojtësit Uilkinson, pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj Kristiano Ronaldos. Uest Hemi i Valon Berhamit regjistroi një fitore madhështore në transfertë në derbin londinez kundër Portsmuthit, pavarësisht se këta të fundit shënuan të parët me anë të Belhaxhit (8’). Kolison (20’), Kol (67’) dhe dy gola të Kreig Belami (70’ e 83’) vulosën fitoren e formacionit të drejtuar nga Xhanfranko Zola. Kosovari Valon Behrami, i cili kërkohet nga “trojka” Juventus-Çelsi-Roma, u ndëshkua me karton të verdhë në këtë takim. Mançester Siti shkarkoi dufin e mbledhur nga ndeshjet e fundit, duke fituar 5-1 me debutuesit e Hullit. Dy gola nga Kaisedo (15’, 27’) dhe dy nga braziliani Robinjo (28’, 36’) dhe Arjalnd (82’) i dhanë tri pikë të çmuara klubit më të pasur në Angli. Fagan në minutën e 80-të shënoi golin e flamurit për Hullin. Në takimet e tjera, Totenhemi dhe Fulhami ndanë nga një pikë në barazimin 0-0, Sanderlendi barazoi po pa gola me Bllekbërnin, Evertoni fitoi në transfertë me Midëllsboro (gol i Kahij në minutën e 51-të) dhe Uigan Atletik fitoi me Njukasëllin 2-1. Tejlor (29’) dhe Zaki (73’, penallti) ishin edhe autorët e fitores së Uiganit. Gutri shënoi me penallti golin e vetëm për Njukasësllin, që luajti nga minuta e 73-të me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Bausong.

Morati mbron Adrianon

Adriano me fanellën zikaltër “ka akoma shanse për të bërë mirë”. Presidenti i Interit, Masimo Morati, edhe një herë tjetër shfaqet si mbrojtësi i madh i sulmuesit, i cili për momentin ndodhet në Brazil për pushime. “Raporti me të është i njëjtë me atë të gjithë lojtarëve të tjerë. Është një raport besimi”, - shpjegoi padroni i Interit. “Është një djalë i zoti dhe ne do të vazhdojmë të kemi besim tek ai”.
“Do të më vinte keq, - përfundoi Morati, - sikur ai të shkonte në një skuadër tjetër dhe të luante shumë mirë. Unë do t’ia uroja, megjithatë do të më vinte shumë keq”.

Mënshengladahu blen Danten

Borusia Mënshengladah bleu mbrojtësin brazilian Dante. Për skuadrën gjermane kjo ishte blerja e katërt në më pak se një javë. Menshengladbah ndodhet në vendin e fundit në Bundesligë dhe kërkon të përforcohet në të gjitha repartet, ku ai mbrojtjes është edhe me i keqi në kampionat, me 35 gola të pësuar në 17 ndeshje të luajtura. Dante, 25 vjeç, vjen nga Standardi i Liezhit dhe i bashkohet blerjeve Paul Stalteri, Tomas Galasek e Logan Bailly.

Moslej hedh idenë e rikandidimit

Edhe pse pensioni është shumë pranë, Maks Moslej nuk e përjashton një rikandidim të ri në krye të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, FIA, kur mandati i tij aktual të ketë skaduar. Ishte vetë presidenti i FIA-s që la të hapur kandidimin, edhe pse gjatë muajit tetor të këtij viti kishte lajmëruar fundin e mbretërimit të tij. Moslej ndodhet në krye të FIA-s, kishte marrë presione nga anëtarë të ndryshëm të për të hequr dorë nga ideja e të qëndrimit në timonin e federatës edhe për katër vite të tjera.

27 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›