Vllaznia mberrin ne Napoli

Vllaznia udhëtoi sot drejt Italisë, teksa të enjten skuadra shkodrane do të përballet me Napolin në "San Paolo" (ora 21:00) në ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Kupës UEFA. Takimi i parë në "Loro Borici" i përfunduar me humbjen 0-3 (2 gola të Pias, Denis) nuk lë shumë shpresa për kualifikim.
Trajneri Agim Canaj përvec mungesës së tre lojtarëve Sukaj, Lika, Teli (tashmë pjesë e skuadrës turke Hacettepe), do të ketë dhe mungesën e sulmuesit cek Miroslav Kausal, ndërkohë që Kaci ende nuk është rikuperuar plotësisht.
I gatshëm për Vllazninë do të jenë edhe dy ganezët Xhejms Boadu (luajti ndeshjen e parë në Shkodër) dhe Adano Muhamed. Blerja e fundit e Vllaznisë, Paulin Dhembi nuk do të luajë në Napoli, pasi mesfushori korcar ka luajtur në Kupën UEFA me Partizanin.
Trajneri Agim Canaj në konferencën e tij të fundit për shtyp tha: "Do të kërkojmë të marrim një rezultat sa më të pranueshëm në Napoli. Do të përpiqemi të paraqitemi sa më denjësisht. Nuk do të shkojmë për turizëm në Itali"
Vllaznia është në një krizë goli pasi ka 360 minuta pa shënuar në katër ndeshjet e fundit, përfshirë ndeshjen e kthimit me sllovenët e Koperit (0-0) në turin e parë të Kupës UEFA, finalen e Superkupës me Dinamon (0-2), ndeshjen e parë me Napolin (0-3) në turin e dytë të Kupës UEFA dhe atë me Tiranën (0-0) në javën e parë të sezonit 2008-2009.
Vllaznia - pesë ndeshje në harkun e 15 ditëve - pas ndeshjes me Napolin, do të përballet të shtunën me Partizanin në Tiranë, pavarësisht se presidenti Fushaj kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes.