Vllaznia ne lufte me kohen per riparimin e fushes
Vetëm 24 orë përpara ndeshjes me Skënderbeun, klubi i Vllaznisë ndodhet në luftë me kohën për të riparuar tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”. Edhe pse fusha e impiantit shkodran u rikonstruktua në fund të muajit shtator, gjendja e terrenit është rënduar së tepërmi, pas përmbytjeve në veri të vendit. Kjo për faktin se stadiumi u shndërrua në një mini-aerodrom, nga ku uleshin e ngriheshin helikopterët e ndihmës për zonat e prekura nga fatkeqësia. Rituali ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme, megjithatë drejtuesit kuqeblu kanë nisur të marrin masat e para për nivelimin e gropave të krijuara në fushë. Puna ka nisur prej pasdites së djeshme, në mënyrë që terreni të jetë në gjendje sa më të mirë për takimin e së dielës. Për shkak të përmirësimit të gjendjes, mendohet që nesër stadiumi të jetë vetëm në shërbim të futbollit.