E Diel, 1 Nëntor 2026

Poker fitues ndaj Kastriotit Tirana ngjitet ne vendin e trete

Shpërfytyrim i dyshimtë i krutanëve në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes

Java e 15-të e Kategorisë Superiore hapet me fitoren 4-0 të Tiranës përballë Kastriotit. Tri pikë mjaft të rëndësishme për bardheblutë, që të tërhequr nga i zakonshmi Pero Pejiç vazhdojnë ecurinë pozitive, duke regjistruar triumfin e tretë në katër ndeshjet e fundit të kampionatit. Në një terren mjaft të vështirë në stadiumin “Selman Stërmasi”, për shkak të reshjeve të dëborës në kryeqytet, të cilat zbardhën fushën edhe gjatë ndeshjes, për bardheblutë gjithçka ka qenë e lehtë. Seria e golave është hapur kur kronometri tregonte vetëm 9 minuta lojë, pas një aksioni personal të Pero Pejiç. Për kënaqësinë e tifozëve të pranishëm dhe të trajnerit Nevil Dede, që e ka ndjekur sfidën nga tribuna, sulmuesi kroat ka sigluar edhe një tjetër perlë në këtë sezon, kur pas një vrapimi galopant në të 37-tën, e ka dërguar topin për herë të dytë në rrjetë. Ky ishte goli i 11-të i 28-vjeçarit në këtë sezon: ai merr përkohësisht kreun e klasifikimit për golashënues, duke zbritur në vendin e dytë, Daniel Xhafajn me 10 gola.

Edhe për shkak të rëndimit të gjendjes së fushës, e cila në fund të 90-minutëshit ngjasonte me një moçal, ndeshja ka vazhduar pa shumë emocione. Tirana administron avantazhin, ndërsa Kastrioti duket i pafuqishëm për të reaguar. Megjithatë, “pokeri” i bardhebluve, kompletohet në 9 minutat e fundit të sfidës, falë bashkëpunimit të shthurjes së dyshimtë të mbrojtjes kundërshtare. Në minutën e 81-të, Sebino Plaku realizon golin e tretë për vendasit, pasi ka përfituar nga rreshtimi i gabuar i repartit difensiv të krutanëve. Deri në fërshëllimën e fundit, loja ka vazhduar me një festival rastesh të shpërdoruara (tre të pastra me Hajdarin), ndërsa goli i katërt shënohet nga Andi Lila në limitin e kohës së rregullt. Në këtë moment, katër lojtarë të Tiranës janë gjendur përpara portës, ndërsa mbrojtësit e Kastriotit nuk shfaqnin as interesimin më të vogël për t’i frenuar. Në përfundim, Tirana regjistron fitoren më të thellë sezonale, ndërsa me suksesin e djeshëm ngjitet në vendin e tretë në klasifikim, në kuotën e 25 pikëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›