Ndreu jep doreheqjen Nuk mund te vazhdoj me keshtu
Menjëherë pas humbjes 4-0 përballë Tiranës, trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu, ka dhënë dorëheqjen. Drejtuesi i stolit krutan ka dalë përpara mediave për të bërë publik vendimin e tij. “Do të largohem. Kështu nuk mund të vazhdohet më”, ishte deklarata e prerë e Ndreut. Fjalët e teknikut kanë ngritur shumë pikëpyetje, mbi të gjitha të kombinuara me dy golat e fundit të pësuar nga skuadra e tij, ku mbrojtësit pothuajse i ftonin kundërshtarët që të shfaqeshin përpara portës. Tashmë mbetet për t’u parë nëse vendimi i trajnerit do të jetë i pakthyeshëm, apo nëse do të përsëritet skenari i sezonit të kaluar. Në fakt, më 2 prill 2010 Ndreu e ka dhënë edhe një herë tjetër dorëheqjen, pas humbjes 1-2 të Kastriotit në shtëpi me Skënderbeun, në javën e 26-të të Superiores. Por, ai ndryshoi mendim dhe vazhdoi punën me ekipin.