Heroinë gjermane në Shqipëri
GJIROKASTER
Gjermanët trafik droge në Shqipëri. Plot 40 kg heroinë, 3 shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë u arrestuan mbrëmë në operacionin “Kështjella”, finalizuar në Kakavijë. Krimet e Rënda kryen hetimin e më pas drejtimin e operacionit të sukseshëm, duke vënë në pranga dhe pronarin e lokalit Kështjella, ndër më të njohurit në rrugën nacionale Fier-Patos. Goditja e grupit u bë menjëherë sapo makina me sasinë më të madhe të drogës së kapur vitet e fundit u afrua në pikën kufitare të Kakavijës. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se, pas 2 muajsh hetim u bë bllokimi i 40 kilogramëve drogë të fortë dhe u prangosën të 5 anëtarët e grupit. Ata janë gjermanët Daniel Englert, Franz Kiacsek, Regina Kiacsek si dhe Albert Pëllumbaj, nga Patosi e Zaim Tafa, banues në Fier. Forcat e policisë u shtrinë në një aksion paralel, në Tiranë, Fier dhe Kakavijë. Mësohet se sasia e heroinës ndodhej në një makinë me targë të huaja, ku ndodheshin çifti Kiacsek, burrë e grua. Në sajë të hetimeve që kishte kryer grupi i punës kishte të dhëna të sakta se mbrëmë do të trafikohej dhe sasia e drogës. Kontrolli në makinën e çiftit gjerman, zbuloi se brenda saj ishin fshehur plot 80 pako me lëndë narkotike, e cila rezulton që është e tipit heroinë. Dy gjermanët u prangosën menjëherë, ndërsa sinjali arriti dhe në rrethet e tjera. Në Fier, dy personat e vëzhguar u arrestuan me shpejtësi. Zaim Tafa, 45 vjeç, është i njohur në këtë zonë, për shkak të biznesit të tij, pikërisht lokalit Kështjella. Bashkë me të u prangos dhe 50-vjeçari Albert Pëllumbaj. Personi i fundit ishte shtetasi gjerman, Englert, i cili në momentin që policia ndërhyu, ai po tentonte që të arratisej nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Sipas burimeve të policisë dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar në Shqipëri, duke përdorur kufijtë lindorë të saj, pikërisht nga Maqedonia. Më pas ajo do të ndiqet linjën e Greqisë, për të përfunduar në Itali. Shtetasit gjermanë mendohet se e kanë blerë heroinën te dy fierakët, ndërsa personi që tentoi të arratisej ishte “kontrollori” i cilësisë së drogës. Të pestë personat janë transportuar në policinë e Tiranës, për t’u marrë në pyetje në lidhje me trafikun ndërkombëtar të heroinës. Ata do të japin shpjegime dhe për origjinën e drogës së fortë, e cila nuk është përcaktuar ende.
Në pikën kufitare të Kakavijës prej vite nuk është bllokuar një sasi e tillë droge, vlera e së cilës arrin shuma marramendëse.
Të arrestuarit
Daniel Englert,48 vjeç, shtetas gjerman
Franz Kiacsek,66 vjeç, shtetas gjerman
Regina Kiacsek,62 vjeçe, shtetase gjermane
Albert Pëllumbaj,40 vjeç, banor i Patosit
Zaim Tafa,45 vjeç, banor i Fierit