E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia pa probleme, e plotë para ndeshjes me Tiranën

Nga GJERGJ KOLA

Popoviç është rikuperuar, ndërsa me ekipin janë bashkuar edhe Sykaj me Vajushin, mungon vetëm Hasani i dëmtuar

Lajme të mira vijnë nga infermieria e skuadrës shkodrane. Malazezi Braçan Popoviç është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që ka pasur dhe ka filluar normalisht stërvitjen me grupin. Po ashtu, me të dje pasdite janë bashkuar edhe dy futbollistët e ekipit kombëtar Shpresa, Sykaj dhe Vajushi dhe tashmë skuadra është e plotë. I vetmi që mungon sërish është mesfushori Edon Hasani.

Ai vuan ende nga një dëmtim në kavilje dhe ndoshta edhe për disa kohë do të jetë larg fushave të blerta, megjithatë, mungesa e tij nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për momentin, sepse ka lojtarë të tjerë që do ta zëvendësojnë. Në këtë mënyrë, meraku i Josës për Popoviçin, Sykjen dhe Vajushin ka marrë fund dhe tashmë atij nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta bëjë skuadrën gati për ndeshjen e së shtunës me Tiranën.

Formacioni thuajse është i përvijuar tashmë, megjithatë, nuk mund të quhet i konfirmuar, ngaqë ndoshta ka ndonjë lëvizje deri të shtunën. Në portë është e sigurt që do jetë Vujadinoviç, pavarësisht ndonjë gabimi të vërejtur në ndonjërën nga ndeshjet e deritanishme.

Në mbrojtje sërish nuk pritet asnjë lëvizje, edhe ngaqë nuk ka alternativa më të mira, prandaj Smajli do jetë në të djathtë, Petroviç dhe Sykaj në qendër dhe Popoviç në të majtë. Në mesfushë ka ndoshta ndonjë dilemë sa i takon numrit të lojtarëve që do luajnë aty dhe që varet edhe nga skema që do të aplikojë Josa.

Nëse ai luan me Sinanin në majë të sulmit dhe Sukajn e Vajushin pas tij, mbetet për të pasur tre mesfushorë në fushë dhe dy prej tyre janë të sigurt, Belisha e Muça. I treti është në dilemë mes Gocajt dhe Nimanit. Nëse luhet me katër në këtë repart, të dy ata do jenë në fushë nga minuta e parë dhe bashkë me ta edhe dyshja Sukaj-Vajushi në sulm. Kapiteni Sinani me të ngjarë do të jetë i gatshëm nga pankina sërish, por kjo nuk është çështje më vete.

Oshilacionet Trajneri Josa kërkon ta fitojë me çdo kusht këtë takim dhe natyrshëm që nuk e frikëson kundërshtari, qoftë kjo edhe Tirana, por paraqitja e skuadrës së tij. Kjo ngaqë deri më tani, Vllaznia ka paraqitur jo pak oshilacione në ecurinë e saj të katër javëve të para të kampionatit.

Me këto oshilacione dhe me ato gabime të vërejtura në mbrojtje, sigurisht që Tirana nuk do të falë dhe prandaj duhet që kuqeblutë të paraqiten krejt ndryshe në këtë sfidë. Sa do tia dalim? Kjo mbetet për tu parë ngaqë skuadra shkodrane ende nuk jep garancitë e duhura në fushë. Ndoshta që nga e shtuna do të jetë tjetër gjë. Për më tepër që përballë është Tirana, një skuadër që të motivon vetëvetiu. Ndaj kësaj skuadre sezonin e kaluar janë arritur dy fitore dhe një barazim dhe kjo është një nxitje më tepër për ti bërë futbollistët aktualë të Vllaznisë se edhe këtë sezon mund tia dalin me sukses në ballafaqimet me këtë kundërshtar.

Ka premio për fitoren, por nuk deklarohet shifra

Drejtues të klubit shkodran kanë bërë të ditur dje se për fitoren me Tiranën ditën e shtunë do të ketë një premio për ekipin, por ende nuk është përcaktuar vlera e saj. Prej ditësh po flitet për një skemë të re premiosh për rezultatet pozitive të skuadrës dhe po ashtu bëhet e ditur se vlera e tyre është e përcaktuar në bazë të fushës ku arrihet, brenda ose jashtë, për fitore apo barazim (jashtë).

Njëkohësisht mendohet që të ketë edhe gjobë për humbjet në Shkodër. Thuhet se të gjitha këto shifra janë të vendosura tashmë, por ende nuk janë bërë publike. Që do të thotë se për ndeshjen me Tiranën do të ketë premio, por ende nuk është e qartë se sa do të marrin lojtarët nëse sigurojnë tri pikët e fitores në këtë takim.

Armir Grima, drejtori i ri sportiv i klubit Vllaznia

Ish-portieri i njohur i Vllaznisë, Armir Grima, që nga dita e djeshme është emëruar në postin e drejtorit sportiv të klubit shkodran. Kanë qenë drejtuesit e klubit ata që e kanë përzgjedhur këtë kandidaturë për të qenë ai njeriu që do merret me të gjitha problemet sportive të ekipit të parë dhe deri tek ekipet e moshave.

Prezantimi i Grimës para skuadrës është bërë pasditen e sotme nga ana e nënkryetarit të Bashkisë Shkodër, Ritvan Troshani, përpara fillimit të seancës stërvitore në fushën sportive të Shtojit. Ish-portieri i njohur i dha fund karrierës së gjatë sportive vetëm pak kohë më parë pas plot 22 vitesh aktivizimi në fushat e blerta, madje drejtuesit e klubit me këtë rast, në ndeshjen e parë të këtij kampionati i organizuan edhe ceremoninë e lamtumirës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›