E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gilman Lika: Në Shkodër gjithmonë është e vështirë

Nga ERJON HAMITAJ

Futbollisti shkodran mendon se tekniku kroat i kombëtares duhet ti kishte dhënë më shumë hapësira

Ekipi i Tiranës ka zhvilluar dje seancën e radhës stërvitore për ndeshjen kundër Vllaznisë. Këto janë dy ekipe me traditë në fubollin tonë dhe që në këtë takim kërkojnë të fitojnë me çdo kusht ndaj njëra-tjetrës për të marrë kryesimin në tabelën e klasifikimit. Trajnimi filloi në orën 16:00 dhe përfundoi në 18:00 ku  në 30 mintuat e para lojtarët bënë disa vrapime rreth fushës me bar natyral dhe në pjesën tjetër zhvilluan ndeshje kontrolli.

Së pari, skuadra u nda në tri grupe me nga shtatë futbollistë dhe më pas në dy grupe me nga 11 futbollistë. Në një grup qëndronin lojtarët që janë baza e skuadrës dhe në tjetrin zëvendësuesit, por kishte dhe ndërrime brenda lojës për të parë gjendjen më mirë të futbollistëve. Në fund të seancës trajneri ka dhënë dhe këshillat përkatëse për disa lojtarë si: Morina, Karabeci etj..

Dje stërvitjes iu rikthye dhe Gilman Lika, që u grumbullua nga tekniku Kuzhe për dy ndeshjet e fundit të fazës eliminatore të Euro 2012. Lika luajti si titullar në ndeshjen me Francën, ndërsa të martën ndaj Rumanisë nuk aktivizua asnjë minutë. Për më tepër, shkodrani Lika për Sportin Shqiptar thotë:

Kombëtarja Dua ta nis nga ndeshja e parë ku luajta normalisht dhe nuk është se bëra ndeshje të madhe, por luajta ndaj Francës, ndaj një ekipi të madh. Ishtë më tepër kënaqësi të luaje ndaj saj, ne shkuam për të marrë rezultat pozitiv, por ja që humbëm. Të martën nuk luajta asnjë minutë, por më vjen keq që barazuam. Nuk jam i kënaqur nga trajneri Kuzhe, sepse prisja më tepër aktivizim në takimin e të martës. Gjithçka unë e lidh dhe me aktivizimin me ekipin ku luaj aktualisht, Tiranën, mbase duhet të jap më shumë këtu që të bie më shumë në sy të teknikut të kombëtares.

VllazniaTirana Kjo ndeshje më dhuron shumë emocione dhe shpresoj të fitojmë takimin. Vllaznia ka një ekip simpatik dhe e njoh mirë mentalitetin shkodran që nuk e pranojnë një humbje tjetër radhazi në kampionat. Në Shkodër kërkojnë më shumë nga vetja dhe duan patjetër fitoren. Ne do të luajmë dhe do të kërkojmë të jemi ne fituesit, por gjithçka i lihet fushës.

Dëmtohet Dushku, në dilemë aktivizimi

Erion Dushku ditën e martë është dëmtuar në muskulin e gjurit të majtë, në një përballje gjatë lojës me portierin Selaci. Ka shumë gjasa të mos jetë titullar në takimin ndaj Vllaznisë të shtunën, por është mjeku i ekipit që jep garanci se Dushku nuk do ti mungojë ekipit dhe se do të jetë i gatshëm që nga mintua e parë për teknikun Rubio, edhe pse sot ka zhvilluar stërvitje individuale dhe masazhime të këmbës.

Bardheblutë, që sot me uniforma të reja

Sot ekipi 24 herë kampion do të pajiset me veshjet e reja të lojës dhe të stëvitjes që mbajnë emrin e firmës së veshjeve sportive, Legea. Skuadra fanellat e lojës do ti ketë në dorë vetëm ditën e ndeshjes kundër Vllaznisë, pasi duhet të stamposet dhe biznesi sponsorizues në pjesën e përparme të bluzave. Kjo gjë ndodh sepse ekipi i Tiranës sapo ka marrë vendimin për tu kthyer në shoqëri aksionare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›