Vllaznia ruan ritmin, Tirana bind
Tri barazime dhe tri fitore të skuadrave vendëse ishte epilogu i javës së 15-të të kategorisë superiore, ku munguan rezultatet "surprizë". Vllaznia mban kreun dhe ruan distancën prej 4 pikësh nga Tirana. Shkodranët kanë mposhtur në "Loro Boriçi" Flamurtarin, ndërsa bardheblutë janë rikthyer te rezultatet bindëse, duke mundur 3-0 Apoloninë. Duket se dueti i kreut do të vazhdojë të luajë ende si "macja me miun" por kësaj radhe paksa më të shkëputur nga ndjekëset, pasi si Teuta, ashtu dhe Dinamo janë frenuar nga Partizani e Elbasani duke barazuar. Goli i shpejtë i Boadusë (minuta 2') ka vulosur fatet e ndeshjes në Shkodër, ndonëse si Vllaznia ashtu dhe Flamurtari mund të kishin bërë diçka më shumë. Sidoqoftë, trajneri Canaj ka përse të buzëqeshë. Vllaznia e tij po vuan prej disa javësh mungesat e rëndësishme në repartin sulmues, por sidoqoftë po arrin t'i zgjidhë takimet në favor të saj, pavarësisht se nuk po bind në shifra. Por nëse triumfi i shkodranëve ishte delikat, ai i Tiranës ishte bindës. Bardheblutë duket se e kanë hequr të keqen e madhe, i kanë vënë shkelim krizës dhe 72 orë pas largimit të Bllazhe Slishkoviçit janë rikthyer ekipi i frikshëm. Natyrisht që për Agustin Kolën ky start është shumë shpresëdhënës, pasi një Xhafaj i tillë nuk shihej prej javësh të tëra, po ashtu edhe ndonjë element tjetër i eklipsuar tërësisht në epokën kroate të drejtimit bardheblu. Megjithatë, trajneri Kola nuk mund t'ia vishte vetes meritat e kësaj fitoreje dhe bën më të mirën, ia dedikon këtë triumf trajnerit të larguar Slishkoviç.
Mbretërit e barazimeve: E kush tjetër veç Elbasanit e Dinamos! Të dyja skuadrat kanë arritur të koleksionojnë nga 8 barazime në 15 javë kampionat, duke mbajtur rekordin absolut në superligë. Në "Ruzhdi Bizhuta" është zhvilluar i njëjti "skenar" i ndeshjeve të fundit mes këtyre dy formacioneve. Gola, kontestime, penallti në favor apo penallti kundër, që i kanë dhënë të gjitha ngjyrat e një kryendeshjeje. Në fillim shënon Elbasani, por më pas kalon në avantazh Dinamo dhe këtu duket se Daliçi vendos të mos marrë pikët e plota: futen si zëvendësues dy kroatë dhe përfundimi është një barazim i hidhur, nga ata që do të mbahen mend gjatë. Golat? Mjafton të kujtojmë eurogolin e Vrapit që e lë Kotorrin të pashpresë me atë trajektore perfekte që e dërgon topin në trekëndësh.
Kapërcimi i madh: Besa kapërcen tri vende në renditje duke u ngjitur nga pozicioni i tetë në të pestin, dy pikë poshtë Dinamos e një sipër Shkumbinit, Elbasanit e Flamurtarit. Me peqinasit verdhezinjtë e drejtuar nga Ilir Daja bëjnë më të mirën. Shënojnë dy herë në pjesën e parë dhe më pas administrojnë avantazhin e çmuar. Fitorja e gjashtë për Besën dhe humbja e pestë për Shkumbinin e Gugash Maganit.
"Mallkimi" vazhdon ende: E kush mund të jetë tjetër "i mallkuari" i madh i këtij sezoni veçse Partizani i një mijë e një halleve? Të kuqtë e Shpëtim Duros kanë luftuar fort përballë një gardhi mbrojtjeje sikundër ai i Teutës, por edhe një herë tjetër nuk kanë arritur ta gjejnë fitoren në Tiranë. Në 8 ndeshje të luajtura në shtëpi, Partizani ka 5 barazime dhe 3 humbje, duke qenë e vetmja skuadër në superiore që nuk ka fituar ende në fushën e saj. Shumë pishmanllëqe edhe nga kjo sfidë, sidomos kur ke dominuar për 90 minuta dhe nuk arrin ta çosh topin në rrjetë. Teuta nga ana tjetër konfirmon forcën e saj në repartin difensiv dhe përballja e parë mes miqve Duro e Starova mbyllet në barazim pa gola, sikundër edhe takimi i fazës së parë i luajtur në stadiumin e Shijakut, "Tofik Jashari".
Në fushën asnjanëse ndahen barazim: Ka qenë në favor të Bylisit pezullimi i "Roza Haxhiut", pasi mallakastriotët kanë mundur të marrin një pikë në përballjen delikate me Lushnjën. Në fillim shënojnë miqtë me Bakiun, por verdhejeshilët barazojnë me anë të Hasallës duke mos e lënë rivalin direkt të shkëputet. Në dy takime, Bylisi ka mundur t'i marrë katër pikë Lushnjës dhe pozicionohet si ekipi më i fortë i katërshes së fundit, kjo sepse shkëputet 5 pikë nga Apolonia e Lushnja dhe e sheh veten vetëm 3 pikë larg grupit prej tri skuadrash që kanë nga 20 pikë: Shkumbini, Elbasani dhe Flamurtari.