E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, trajneri Josa vijon të mos ndihet i rrezikuar

Nga GJERGJ KOLA

Trajneri Mirel Josa nuk do të lëvizë nga pankina shkodrane, pavarësisht ndonjë fjale të qëllimshme të hedhur lart e poshtë

Mirel Josa nuk do lëvizë nga stoli i Vllaznisë. Edhe ndonjë që ka menduar ndryshe, duket se do të ndërrojë mendje pasi ka mësuar atë çfarë ka deklaruar nënkryetari i bashkisë, Ritvan Troshani, një ditë para ndeshjes së luajtur me Tiranën. Shumëkush në fakt ka menduar se Josa mund të shkarkohej nëse do të humbej ndeshja ndaj bardhebluve ditën e shtunë, por numri 2 i bashkisë ka garantuar tjetër gjë, teksa ka deklaruar:

Pavarësisht çdo rezultati që do arrihet në ndeshjen me Tiranën, të jeni 100 për qind të bindur se trajneri Josa nuk ka për të lëvizuar nga vendi që mban. Ai nuk është i kushtëzuar nga fitorja me çdo kusht ndaj Tiranës, por do të vazhdojë i qetë punën e tij, – ka thënë Troshani. Në fakt, edhe në ndeshjen e së shtunës, në një moment, atëherë kur rezultati ishte 2-0 për Vllazninë, i gjithë stadiumi brohoriste Josa, Josa!.

Ky i fundit, me natyrën e tij të ftohtë sigurisht që nuk bëri asnjë gjest ndaj tyre, madje asnjë përshëndetje. Ndoshta e parandjente se vetëm pak minuta më vonë gjërat do ndryshonin. Pësimi i dy golave të shpejtë, njëri pas tjetrit, solli jo pak kritika edhe për stafin drejtues, që nuk diti të menaxhonte situatën. Shumë mendonin që Vajushi, në një ditë të errët atë ndeshje, duhej zëvendësuar me kohë, për të vazhduar edhe me ndonjë lëvizje tjetër, në mënyrë që loja të kontrollohej prej tyre dhe jo ti jepej terren kundërshtarit, ashtu siç ndodhi më pas.

Garancia Me përfundimin e takimit, sërish ka pasur dyshime për të ardhmen e Josës, edhe ngaqë nga Tirana vinin lajme që bënin fjalë për një post të tij në stafin e bardhebluve. Por nga drejtuesit e Bashkisë Shkodër sërish ka garanci që trajneri kryeqytetas do të vazhdojë sërish punën me ta ashtu si më parë. Garancia e dhënë për këtë gjë, natyrisht që i shërben për mirë skuadrës, sepse në fund të fundit barazimi i së shtunës nuk ka prishur shumë plane.

Ai barazim me Tiranën nuk është se ka lënë ndonjë shije dhe aq të keqe në opinionin publik shkodran. Të gjithë ata që kanë qenë në stadium, por edhe ata të tjerët që e kanë parë nga ekrani i televizionit, janë të bindur se Vllaznia nuk ka merituar më tepër se një pikë në atë ndeshje. Kuptohet, ende diskutohet për rastin e humbur të Sukajt në fundin e ndeshjes.

Për këtë arsye, skuadra po sheh përpara, duke kërkuar të bëjë më të mirën edhe në ndeshjen e radhës me Flamurtarin, që konsiderohet edhe më e vështirë se ajo e kaluara. Tashmë kuqeblutë kanë mundësinë të tregojnë se çfarë mund të bëjnë për të tentuar pikët e para në transfertë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›