Lutaj kthen fletën, do tri fitore rresht në Kupën e Shqipërisë
Trajneri i Flamurtarit kërkon suksesin edhe në kupë, prandaj për Vllazninë do të mendojë vetëm pas ndeshjes me Kamzën
Fitorja ndaj Pogradecit ka rikthyer qetësinë në kampin e Flamurtarit, ndërsa trajneri i ekipit vlonjat, Edmond Lutaj, e ka quajtur një fitore shumë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë ka dashur të ulë sadopak entuziazmin për kategorizuar Flamurtarin pretendent për titull. Fitorja përballë Pogradecit na ka kthyer qetësinë, për vetë faktin se vinim pas një humbjeje në kampionat me Tiranën dhe nuk mund të lëshonim më në ndeshjen e radhës.
E keni parë edhe vetë se ka qenë një fitore plotësisht e merituar e Flamurtarit, një ndeshje të cilën e kemi dominuar krejtësisht dhe arritëm të shënonim dy gola, por duke pasur edhe shumë raste të tjera. Por fitorja përballë Pogradecit vlen vetëm tri pikë dhe ndeshje më të vështira na presin në vijim, ndaj duhet të bëjmë kujdes maksimal për të mos toleruar në lojën tonë, pavarësisht se ku do të luajmë në Vlorë apo jashtë.
Me Pogradecin futbollistët kanë dhënë përgjigjen më të mirë se humbja në Tiranë ishte harruar plotësisht dhe pas kësaj ne mendojmë për takimet e radhës. Pogradeci arriti të mbrohej shumë mirë në pjesën e parë, por edhe fati nuk ishte në anën tonë. Gjithsesi, rëndësi tashmë që flasim ka vetëm fitorja.
Kupa Për ekipin shkodran flasim ditën e enjte. Tani kemi kupën dhe të mërkurën luajmë ndeshjen e parë për këtë kompeticion, ku do të kërkojmë ta nisim me këmbë të mbarë. Kupa e Shqipërisë është një objektiv yni, ndaj nuk lejohet të gabojmë. Unë mendoj nëntë pikë pas tri ndeshjeve të para në grup, për të qenë më të qetë në ndeshjet në vijim të këtij kompeticioni, ndaj e besoni se sa rëndësi ka kjo ndeshje me Kamzën ditën e mërkurë.
Ndoshta kemi një favor, pasi me këtë ekip jemi ndeshur në kampionat dhe kemi njohuri për lojën e tyre. Por të mos harrojmë se edhe ata barazuan me kampionët në fuqi dhe kanë një ekip shumë të mirë. Megjithatë, unë e thashë se mendoj tri fitore pas tri ndeshjeve të para në Kupën e Shqipërisë, kështu që dihet se për çfarë udhëtojmë drejt Kamzës për takimin e parë.
Për Vllazninë, e theksova, flasim për sfidën në kampionat vetëm ditën enjte në mëngjes, madje vetë futbollistët duhet të jenë të fokusuar te kupa dhe jo te kampionati. Vllaznia do të ketë vëmendjen e duhur pas takimit të kupës, pasi dihet se si janë ndeshjet në kampionat, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.
A u çlirua me të vërtetë sulmi vlonjat?
Në pesë javë kampionat, sulmi i Flamurtarit i jep fitoren ekipit vetëm në ndeshjen e fundit. Duket se tashmë për lojtarët sulmues të Flamurtarit kanë mbërritur momentet e mira, ndërsa Vilfor Hysa me tre gola është shënuesi më i mirë për Flamurtarin deri më tani. Nëse sulmi ishte kthyer një shqetësim, duket se ndeshja me Pogradecin i la pas të gjitha. Megjithatë, duket se në vijën e parë ka ende për të bërë, kur sulmuesit e tjerë të ekipit vlonjat ende nuk kanë njohur shijen e golit në kampionat.
Situata është ende e vështirë. Në klubin kuqezi mendojnë se shënimi i golit edhe nga sulmuesit e tjerë në ndeshjet e kampionatit është vetëm çështje kohe. Gjithsesi, dygolëshit të sulmuesit Vilfor Hysa i janë gëzuar shumë për faktin se gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar asnjëherë kritikat për mungesën e saktësisë përpara portës, ku situatat zgjidheshin nga lojtarët e reparteve të tjera. I shënojmë Pogradecit dhe largojmë zërat e këqinj, – kështu është shprehur përpara ndeshjes me liqenorët sulmuesi Hysa dhe kështu ka ndodhur.
Vlonjatët pushojnë dje, sot drejt Durrësit
Flamurtari e ka bërë pushim ditën e hënë dhe do të nisë përgatitjet sot në mëngjes, duke startuar prej orës 10:00. Konfirmohet se pasdite, pasi të ketë zhvilluar seancën stërvitore, ekipi të udhëtojë më pas drejt Durrësit, ku do të akomodohet për të kaluar natën, ndërsa vetëm të mërkurën në mëngjes do ti drejtohet Kamzës.
Ndërkohë, bëhet e ditur se më shumë vend në formacion për takimin në Kamzë do të gjejnë futbollistët që nuk janë aktivizuar shumë gjatë kampionatit. Lutaj e ka quajtur një mundësi shumë të mirë dhe ka vlerësuar formatin e kupës, pasi, sipas tij, u jepet mundësi të gjithë lojtarëve për tu aktivizuar.
Brahja, mungesa e vetme e vlonjatëve në Kamzë
Ekipi i Flamurtarit do të luajë ndaj Kamzës me vetëm një mungesë për ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë. Është konfirmuar se të gjithë futbolistët do të jenë pjesë e ekipit për të udhëtuar drejt Kamzës, ndërsa mungesa, siç dihet, është tashmë e mbrojtësit Julian Brahja. Mbrojtësi laçian është dëmtuar përpara ndeshjes së kampionatit me Pogradecin dhe nuk është rikuperuar, ndaj mungesa e tij tashmë është e konfirmuar për këtë takim, në të cilin mendohej të luante si titullar.
