E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheta: Le të flasin çtë duan, Teuta kryeson

Nga DORIAN AGOLLI

Kapiteni i durrsakëve, Arjan Sheta, ka shënuar golin e fitores në Fier dhe ia dedikon djalit të tij, Deanit

Ne e merituam fitoren, pasi luajtëm më mirë se kundërshtari dhe mbajmë me meritë kreun të vetëm. Kështu shprehet mbrojtësi dhe njëkohësisht kapiteni i durrsakëve, Arjan Sheta, i cili vulosi edhe fatin e ndeshjes në Fier, ku ka shënuar golin që i dha tri pikë Teutës nga 11-metërshi. Sheta shprehet i emocionuar për momentin që goditi penalltinë, teksa thotë: Është kënaqësi kur Teuta fiton dhe sigurisht që është kënaqësi e veçantë për mua kur vulosa fatin e ndeshjes me golin tim të parë këtë sezon.

E ndjeja përgjegjësinë dhe emocionin kur gjuajta atë 11-metërsh jo thjesht se ky gol mund të vendoste ndeshjen, pasi në ndeshje delikate edhe një gol mund të përcaktojë fitoren, por më shumë përgjegjësi ndjeva për faktin se një kapiten në momente të tilla duhet të tregojë gjakftohtësi dhe të mos gabojë. Në momentet kyçe shfaqet edhe kapiteni, ndaj jam i kënaqur që shënova.

Ne i kemi të përcaktuar lojtarët që godasin goditje standarde dhe penalltitë trajneri mi ka caktuar mua ti godas. Pas golit bëra edhe gjestin tim të zakonshëm, duke treguar se çdo gol që shënoj ia dedikoj djalit tim, Dean. Me këtë rast dua të falënderoj edhe tifozerinë durrsake, që na ka mbështetur në maksimum në këtë ndeshje të vështirë.

Synimet Në lidhje me komentet se Teuta është pragmatiste dhe fiton ngushtë, por ende nuk bind për pretendente, Sheta shprehet: Ne nuk e kemi filluar kampionatin, duke thënë që jemi pretendentë për titull. Ne kemi hyrë me objektiv për të qenë ndër më të mirët dhe ndër më të mirët po e tregojmë që jemi. Natyrisht, edhe pse objektivin e kemi për zonën europiane, kjo nuk do të thotë që të mos synojmë titullin, pavarësisht nëse shumë njerëz nuk besojnë te kjo gjë.

Rëndësi ka që të besojmë dhe, përderisa ne kemi besim se mund të fitojmë ndaj cilitdo ekipi, mund të synojmë edhe më lart se zona europiane, por gjithsesi, tani është akoma fillimi dhe, pavarësisht se çfarë komentesh bëhen poshtë e lart, ne i ruhemi euforisë dhe ecim me këmbë në tokë.

I marrim ndeshjet një e nga një, sepse të gjithë janë kundërshtarë të vështirë, madje tani e tutje do të jenë akoma më shumë, kështu që mjafton të vazhdojmë në këtë mënyrë, duke fituar dhe pak rëndësi ka se fitojmë minimalisht apo me diferencë golash. Ne na duhen pikët dhe pikët i marrim me meritë, duke treguar që jemi një skuadër kompakte dhe me forcë grupi.

4 Herë ka regjistruar fitoren 1-0 ekipi durrsak në 5 javë kampionat, duke u renditur kështu i pari me 12 pikë me 4 fitore të ngushta

 

1 Gol për ndeshje ka regjistruar Teuta në 5 javë, duke shënuar 5 gola, ku vetëm ai i Çotës në Shkodër nuk ka pasur vlerë, pasi është sfumuar nga 3 golat e Vllaznisë

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›