Kinë, skandal me maskotën e Kupës së Botës
Skandal me Maskotën e botërorit të Afrikës së Jugut. Sipas kontratës, ai duhet të prodhohet pikërisht në vendin organizator, por në të vërtetë, maskota që quhet “Zakumi” prodhohet në Kinë nga kompania “Shanghai Fashion Plastic Products Co. Ltd”. Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, ata që e prodhojnë janë fëmijë të moshës nga 13 deri në 17 vjeç që punojnë 13 orë në ditë dhe paguhen me një shifër qesharake prej tre dollarësh. “Janë akuza të pavërteta. Ne kemi kushte shumë të mira pune, paga të larta dhe i plotësojmë të gjithë kriteret. Duan të dëmtojnë imazhin e kompanisë sonë”, ka thënë një zyrtar i kompanisë kineze. Në fakt, kanë nisur hetimet dhe pritet që të prishet kontrata e bërë për prodhimin e maskotës. Edhe pse nuk kanë mbetur shumë kohë nga fillimi i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik, organizatorët kanë premtuar se maskota do të jetë e pranishme në çdo vend dhe se problemet e fundit nuk do të ndikojnë aspak në planin e tyre.