E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e Flamurit, panair, koncert dhe fishekzjarrë në Tiranë

Bashkia njofton listën e aktiviteteve që kulmojnë me spektaklin e fishekzjarrëve në orën 20.30 të mbrëmjes në sheshin ‘Nënë Tereza’

Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë do të kremtohen sot në të gjithë vendin. Bashkia e Tiranës ftoi dje të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e festimeve dhe aktiviteteve që janë organizuar me rastin e 99-vjetorit të pavarësisë në kryeqytet.

Zëdhënësja e Bashkisë, Anila Bisha, bëri të ditur se më 28 Nëntor Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta, ku të gjithë mund të gjejnë atë që duan. Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, gjithashtu ka njoftuar se do jetë i pranishëm në një pjesë të këtyre aktiviteteve, të organizuar për këtë ditë. “Në rrugën ‘Murat Toptani’, çelet panairi ‘Blej Shqip’, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale. Fëmijët do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve për 28 Nëntorin. Në parkun ‘Rinia’, trupa e Cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë e kitarë” deklaroi Bisha në një deklaratë për mediat.

Ndërkohë, mësohet se aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë, dhe kushdo që ka dëshirë mund të bëjë një foto me ta.

Mësohet se atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. Kjo ceremoni do të vijojë me shfaqen e filmit “Nëntori i Dytë” para Galerisë Kombëtare të Artit, ndërsa ceremonia do të kulmojë me një spektakël fishekzjarrësh në orën 20.30 në sheshin ‘Nënë Tereza’.

Festë në të gjithë vatrat shqiptare

Duke filluar me Selanikun që ka festuar më herët, pritet që në të gjitha vendet ku ka diasporë shqiptare të kremtohet sot Festa e Flamurit. Ndërkohë ceremoni të veçanta janë organizuar në Prishtinë dhe mjaft qytete të Kosovës, ndërsa do të ketë festë në Shkup dhe qytete të tjera shqiptare të Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›