E Diel, 1 Nëntor 2026

Çudi dinamovite, pëson 3 gola në 6 minuta



Dinamo humbi 4-2 miqësoren e luksit me skuadrën spanjolle të Real Sociedad, një takim i zhvilluar në Blad Baiberg të Austrisë. Ditën e diel, kampionia e Shqipërisë kishte humbur me Palermon me rezultatin e thellë, 4-0. Pas golit të parë të shënuar nga spanjollët në minutën e 8-të me Llorenten, Dinamo arriti të barazojë rezultatin pas vetëm gjashtë minutash, në të 14’ me anë të argjentinasit Martinena. Pas pjesës së parë të mbyllur 1-1, blutë shqiptarë të drejtuar nga argjentinasi Luis Manuel Blanko arritën të kalonin në avantazh (2-1), në minutën e 74-t me një gol të Gjergji Muzakës, por ashtu si në takimin me sicilianët e Serisë u dorëzuan në fund të ndeshjes, kur Real Sociedad shënoi tre gola në harkun e gjashtë minutave: 82’ (Agirretxe), 84’ (Viguera) dhe 88’ (Agirretxe), duke fiksuar shifrat në 4-2. Për Dinamon kjo ishte miqësorja e tetë e zhvilluar deri tani, ku i vetmi kundërshtar shqiptar ka qenë Laçi, ndaj të cilit fitoi 1-0. Dinamo humbi me çeljen e Sllovenisë 1-0 dhe me Koperin, po të Sllovenisë, 3-2.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›