Vlorë, Gjika merr mandatin e tretë
Socialistët marrin në Vlorë edhe Bashkinë e Orikumit, si dhe Komunën Vllahinë
Bashkia e Vlorës do të vazhdojë të drejtohet nga Shpëtim Gjika, i cili ka marrë mandatin e tij të tretë. Socialistët e Vlorës kanë ngritur në këmbë Pallatin e Sportit “Flamurtari”, teksa Gjika së bashku me bashkëshorten dhe vajzën kanë hyrë në ambientet e pallatit, në përfundim të numërimit të votave. Plot 5020 vota më tepër kanë rikonfirmuar fitoren e Shpëtim Gjikës, i cili është për të tretën herë në krye të Bashkisë Vlorë. Socialistët e Vlorës i janë gëzuar fitores së dyfishtë, atë të marrjes së kreut të bashkisë, por edhe shumicës në Këshillin Bashkiak. Ata kanë vijuar festimet në selinë rozë, si dhe në makina me flamurë të Partisë Socialiste kanë përshkruar rrugën kryesore Vlorë-Skelë. Në Vlorë, Shpëtim Gjika ka fituar ndaj ish deputetit demokrat, Ardian Kollozi, me rezultatin 23386 kundrejt 18366 votave. Numërimi i 86 kutive ka vijuar i pandërprerë në Pallatin e Sportit, ndërsa herë pas here në tavolinat e numërimit janë ndërruar numëruesit për shkak të lodhjes. Situata e numërimit ka qenë thuajse e qetë, ndërsa janë shënuar dy konfliktime, në njërën prej të cilave është përfshirë edhe kandidati demokrat Kollozi. Gjatë numërimit është vërejtur epërsia e Gjikës, i cili fillimisht ka mbajtur diferencën prej 1 mijë vota, për t’u shkëputur mbrëmjen e së hënës fillimisht në 2500, paraditen e djeshme në 4 mijë vota, derisa përfundoi në diferencën prej 5020 votash. Në festë pas Gjikës, kanë qenë edhe përfaqësuesit çam, të cilët i janë gëzuar fitimit të vendit të tretë në këshillin bashkiak, me një numër të konsiderueshëm votash. Ndërsa rezultati zgjedhor u rikonfirmua në Bashkinë Vlorë, në Bashkinë Orikum, Himarë e Vllahinë, pati kalim të pushtetit vendor tek PS. Kështu në Orikum, kandidati i PS-së, Gëzim Çapo fitoi bindshëm ndaj kandidatit të LSI-së, në bashkinë që këto katër vite udhëhiqej nga Kanan Braho i PD. Në Vllahinë, Gëzim Hoxha i PS-së, do të zëvendësojë Sokol Hodaj e PD. Aktualisht vijon numërimi për komunën Kote, ndërkohë që Komuna Qendër mbetet e bllokuar tek kutia e Panajasë, kaluar në KQZ për të vendosur përfundimisht kush do të jetë fitues ndërmjet Fredo Berberit të PD dhe Blerdi Liçaj i PS. Surpriza e parë e procesit të zgjedhjeve në Qarkun e Vlorës ka qenë fitorja e socialistëve në Himarë, ku kandidati Gjergji Goro fitoi betejën ndaj Vasil Bollanos, me 220 vota më shumë se kandidati i PBDNJ-së. Himara, e para në numërimin e bashkive dhe komunave të vendosura në KZAZ nr.62, më shumë se ka çuditur ka lënë të kënaqur strukturat e PS-së, në përmbysjen e rezultatit për këtë bashki. Gjergji Goro me 1574 vota, kundrejt 1472, ka thyer mitin ndaj Bollanos, një emër i shumë diskutuar së fundmi, që rikandidonte për këtë bashki për një mandat të tretë.
Qarku Vlorë
PS Shpëtim Gjika
57.2%
23386
PD Ardian Kollozi
42.8%
18366
Kuti 86 / 86
Bashkia Himarë
15 / 15
PS Jorgo Goro
1574
Vasillaq Bollano
1472
Bashkia Orikum
24 nga 24
PS Gëzim Capo
1899
Hasan Laba
1078
Komuna Novoselë
68 nga 68
Kanan Shakaj
2050
PS Jorgo Mukaj
1069
Komuna Vllahinë
36 nga 36
PS Gëzim Hoxhaj
1575
PD Sokol Hodaj
1450
Komuna Kote
11 nga 22
PS Mëno Besimaj
1011
PD
Argjir Gjokaj
978