E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, numërohen kutitë e zonave të PD-së, Dako ende në avantazh

Në zonat e Shkozetit, Spitallë dhe ish-kënetës, e djathta nuk arrin të marrë votat e vitit 2009. Manza, Katundi i ri dhe Xhafzotaj votojnë për “Aleanca për qytetarin”.

DURRËS Koalicioni “Aleanca për qytetarin” në qarkun e Durrësit ka fituar edhe dy njësi të tjera vendore, pas Bashkisë së Sukthit dhe komunës Rrashbull. Dje pasdite ka përfunduar numërimi i të gjitha kutive për Bashkinë e Manzës, komunën Katundin i Ri dhe Xhafzotaj. Kështu Bujar Huqi, kandidat i PD-së rikonfirmohet si kryetar i Bashkisë së Sukthit, duke marrë në total 2154 vota, kundrejt 1723 vota që ka marrë në përfundim të numërimit Sokol Sula i PS-së. Gjatë gjithë ditës së djeshme, deri në mesnatë, beteja për Bashkinë e Durrësit mes kandidatit socialist Vangjush Dako dhe demokratit Ferdinand Xhaferaj ka vijuar e pandërprerë. Dako ka pasur një avantazh të lehtë, por me ulje e ngjitje nga njëra kuti në tjetrën. Partia Demokratike ka fituar pesë mandate deri mbrëmë në komunat e bashkitë e qarkut, përkundrejt asnjë mandati të PS, e cila ka shpresë të parë e të vetme mandatin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Deri në orët e mbrëmjes, procesi është mbyllur përfundimisht në pesë njësi vendore, ndërkohë që në pesë të tjerë është në proces, apo nuk ka nisur fare. Beteja për mandatin e qeverisjes vendore ka qenë e lehtë vetëm në komunën Xhafzotaj, pasi Agim Hoxha i cili ka marrë mandatin e 4, ka marrë 4 herë më shumë vota se konkurrenti i tij Basri Gjokë, duke e mbyllur fushatën me 2600 vota, përkundrejt 720 votave të socialistit Gjoka. Në Sukth, Sherif Fortuzi i PD është ndeshur njëherësh me kandidatin e pavarur Hysen Llaca dhe socialistin Selami Xhelili, duke fituar me 3789 vota. Beteja ka qenë përgjithësisht e lehtë edhe për Hil Priska, në komunën Katundi i ri, me 16 mijë zgjedhës të listuar, por që realisht kanë votuar rreth 5500 prej tyre apo 43 për qind. Priska ka marrë mandatin e tij të tretë, për të qeverisur duke mundur me një diferencë prej 1800 votash konkurrentin e tij të PS, Servet Balla.

Bashkia e Manzës, zonë periferike e qarkut të Durrësit, ka rivotuar Bujar Huqin, të cilit i kanë besuar votën e tyre 2154 zgjedhës, ndërsa Sokol Sulës së PS, 1723 vota. Beteja e fortë dhe me shumë ethe ndër anëtarë e simpatizantë ka vijuar për Bashkinë e Durrësit. Shtabet elektorale të të dy kampeve janë ulur e ngritur në shkallët e Pallatit të Sportit me dhjetëra herë, ndërsa u kanë ngulur sytë monitorëve dhe fletëve me shënimet përkatës.

Avancimi

Kandidati socialist Vangjush Dako ka kryesuar në pjesën më të madhe të kutive, madje edhe atje ku PD mendonte se kishte elektoratin më të fortë, ndërsa kandidati Ferdinand Xhaferaj e ka ulur diferencën herë pas herë. Janë 165 kuti votimi që do të numërohen për të përcaktuar fituesin, ndërsa kanë përfunduar vetëm 68 kuti. Në orët e paradites janë numëruar kutitë e votuesve në lagjen numër 13 të Plazhit, Shkozetit, pjesërisht të Kënetës dhe Spitallës, duke iu afruar rrethimit të qytetit për të kaluar kështu në zonën më të nxehtë të kësaj beteje. Në Durrës, asnjë kamp politik nuk ka mundur të tregohet optimist. Në Plazh, zona që deri tani ka qenë pikë e fortë e PD është mbyllur me 210 vota më shumë për socialistin Dako, Shkozeti me 60 vota pro tij dhe NISH Tulla me 34 vota. Në të tri këto zona, PD është zhgënjyer për të kompensuar pjesërisht në lagjen 14, 15, 17, 18 të Kënetës dhe fare pak në Spitallë. Humbja e PD në Plazh, Shkozet e Nish Tulla është e barabartë me një zonë elektorale për deputet, ku në mandatin e fundit parlamentar fitues ka qenë PD. KZAZ numër 8 tek Pallati Sportit ka vijuar normalisht, ndërkohë që kandidati PS Vangjush Dako në 68 kuti vijon të kryesojë me rreth 350 vota. Konkurrenca mes këtyre dy kandidatëve ka qenë shumë e fortë dhe e ndjeshme, gjë që ka bërë të reagojnë shtabet përkatëse të tyre. Socialistët kanë mundur të arrijnë deri në 800 vota pro, ndërsa diferenca është zbutur më pas në kohën kur ka nisur numërimi votave në ish Kënetë e në Spitallë. Xhaferaj dhe stafi tij realisht kanë pritur më shumë vota sesa kanë rezultuar në Kënetë e në Spitallë, por ka ndodhur thuajse i njëjti fenomen si dhe në Plazh. PD në Plazh gjithnjë, si në zgjedhje lokale edhe ato qendrore ka qenë me diferencë plus 1200-1300 vota ndërsa këtë herë është fundosur duke lënë edhe 200 vota të tjera veç rezultateve të mësipërme. Por për PD rezultatet nuk kanë qenë të mira as edhe në zonat e sektorët e tjerë duke krijuar idenë se elektorati i saj ka pësuar metamorfozën e pjesshme. Këneta e cila është menduar se do të jetë zona që do ngrejë moralin e PD dhe shifrat pro kandidatit Ferdinand Xhaferaj nuk ka mundur të bëjë diferencimin e pritur, ndërkohë që gjashtë kuti të kësaj zone ende nuk janë numëruar ngase gjenden në hartën e një lagjeje tjetër. Ndonëse nuk është folur konkretisht me aleatët mësohet se LSI ka dhënë shumë më pak vota pro kandidatit të PD ngasa janë pritur e parashikuar, kjo për arsye se elektorati Metës në Durrës e ka ndarë votën mes socialistëve dhe demokratëve, duke mos qëndruar bllof si në rastin e votimeve parlamentare.

Aleks Kalemasi

DURRËS

PS Vangjush Dako 13 961

PD Ferdinad Xhaferri 13299

67 nga 124

Manzë

Sokol Sula PS 1723

Bujar Huqi PD 2184

10 nga 20

Katundi i ri

PS Servet Balla 1406

PD Hil Priska 3308

15 nga 30

Kavajë

PS Elvis Rroshi 6008

PD Refik Rrugeja 5128

60 nga 60

Xhafzotaj

PS Basri Gjoka 727

PD Agim Hoxha 3547

15 nga 30 kuti

Krujë

PS Ismail Dani 3624

PD Shkëlzen Hoxha 3723

18 nga 36

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›