E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë/ Konkretizohet nisma e PD, “Një Ballkon - një Flamur”

22-10-2012 / Gazeta 55

Nisma e degës lokale të Partisë Demokratike të Vlorës, “Një ballkon, një flamur”, e paralajmëruar prej një jave, nisi të konkretizohet dje, teksa mjaft të rinj me flamuj kombëtarë trokitën në banesat e qytetarëve për t’u dhuruar simbolin kuq e zi. 
Afrimi i 28 Nëntorit, 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare,është vlerësuar si një moment kur çdo qytetar duhet të kontribuojë për të krijuar një dekor festiv, që të përshtatet me dimensionet e kësaj dite. Por, nismëtarët e këtij projekti festiv janë shprehur se dita e djeshme shënon vetëm fillimin e një strategjie që do të kulmojë në 28 Nëntor. Kjo periudhë, do të shërbejë për të krijuar një mjedis që të evokojë këtë datë madhore, më të madhen në historinë e Shqipërisë.
Ky projekt u paralajmërua një javë më parë, gjatë një konference për shtyp të kryetarit të degës lokale të PD-së, Ardian Kollozi, sipas të cilit, ai u ndërmor në kushtet e indiferencës së administratës bashkiake dhe mungesës së angazhimit të saj për të përkujtuar këtë moment historik me të gjitha dimensionet që ai meriton.
Zbukurimi me flamujt kuq e zi dhe simbole të tjera kombëtare i ballkoneve të banesave, përbën një nga elementet e kësaj nisme, që pritet të shtrihet më tej në mjedise të tjera publike në qytet.
Gjithashtu, kryetari i degës lokale të PD-së, në konferencën e tij për shtyp, paralajmëroi se grupi i këshilltarëve të djathtë bashkiakë do të kërkojë një interpelancë me kryetarin e bashkisë lidhur me situatën ku ndodhet qyteti, ku, sipas tij, mungojnë përgatitjet për atmosferën festive në kuadrin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›