Vlorë, Stafi akademik: Jo studentët me mesatare 6
VLORË- Pas njoftimit të nxjerrë një ditë më parë, për afatin e regjistrimeve deri në pasditen e së dielës, për maturantët me mesatare nën 6, nga Rektori i Universitetit të Vlorës “Ismail Qemali”, Tanush Shafkaj, i menjëhershëm ka qënë reagimi nga stafi akademik, i cili përmes një deklarate për shtyp e ka kundërshtuar këtë vendim. Ndërkohë, kundërshtimi i bërë ka vërtetuar edhe një herë që stafi akademik i qëndron vendimit të marrë në maj të vitit 2008, ku heq të drejtën e maturantëve me mesatare nën 6, duke rënë ndesh me urëdhëresën e fundit të Rektorit. Edhe pse ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri akademik, mbi 800 kandidatë për studentë janë në udhëkryq mes deklaratave nga universiteti, të cilët ritheksojnë qëndrimin e tyre dhe ato nga Ministria e Arsimit që jep siguri që studentët janë regjistruar. Deklarata për shtyp e stafit pedagogjik të universitetit të Vlorës, kundërshton vendimin e Rektorit për zgjatjen e afatit të regjistrimeve të maturantëve deri në ditën e dielë, në datë 4 tetor 2009. Ne si kolektiv pedagogjik, cilësohet në deklaratë e konsiderojmë këtë, një shkelje të rëndë të autonomisë së universitetit dhe nëpërkëmbje të dinjitetit dhe autoritetit të senatit, i cili është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Vlorës. E ritheksojmë qëndrimin tonë të mëpërparshëm të deklaruar më datë 23 shtator 2009, që nuk mund të bëhet asnjë kompromisë me Ministrinë e Arsimit. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve akademike, vijon citimi, intelektualëve, opinionit publik, përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, që ta përkrahin kauzën tonë.
(m.a/News24/BalkanWeb)