E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, Universitetit i hiqet emri “Ismail Qemali”

Autori i Lajmit: red.
Një vendim i padëgjuar ka shokuar qytetarët e Vlorës. Senati i universitetit të këtij qyteti ka votuar pro heqjes së emrit “Ismail Qemali” që mban ky institucion i arsimit të lartë. Sipas burimeve në Vlorë, ka qenë rektori i universitetit, Tanush Haska ai që ka kërkuar nga senati të votojnë heqjen e emrit të njeriut që themeloi shtetin shqiptar. Pretendimi në senat ka qenë se Ismail Qemali nuk ka qenë ndonjë figurë akademike dhe emri i tij nuk është e përshtatshëm për të merituar një universitet. Sipas burimeve nga senati vendimi është marrë me dy vota diferencë, 8 pro dhe 6 kundër. Gjithashtu burimet nga senati bëjnë të ditur se nga diskutimet e bëra gjatë mbledhjes është folur që prezantimi i Universitetit të Vlorës në botë është më mirë që të bëhet thjesht si “Universiteti i Vlorës”, se sa me emrin “Ismail Qemali”. Por gjatë mbledhjes nuk kanë munguar edhe diskutimet mes anëtarëve të senatit, të cilët kanë kontestuar këtë vendim. Pasi, senati hoqi emrin e Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës, kanë reaguar me habi dhe revoltë jo vetëm pedagogë, por edhe qytetarët vlonjatë, të cilët kanë kundërshtuar në mënyrë absolute heqjen e emrit “Ismail Qemalit”. Po ashtu kanë reaguar edhe deputetë të këtij qyteti. Konkretisht Bujar Leskaj e ka konsideruar një gafë vendimin e senatit universitar, e cila sipas tij nuk duhet të tolerohet. Po kështu edhe historiani i njohur vlonjat Bardhosh Gaxho është shprehur nga Kroacia ku ndodhet aktualisht, se ky vendim është absurd dhe se emri i patriotit të njohur, jo vetëm në Vlorë por në të gjitha botën, është një nder që mbahet prej Universitetit të Vlorës duke qenë edhe simboli i qytetit. Për t u zyrtarizuar vendimi duhet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Por burime nga qeveria kanë bërë të ditur se ky ndryshim është shumë vështirë të kalojë si vendim, pasi emri i të madhit Ismail Qemali është një simbol kombëtar.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›