Banda e grabitësve, arrestohen 5 shqiptarë
Pesë shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen se kryenin grabitje në qytete të ndryshme spanjolle. Agjencitë spanjolle të lajmeve bëjnë të ditur se në një operacion të koduar me emrin “Sapo”, policia vendase ka arrestuar pesë shqiptarë që akuzohen për më shumë se 20 plaçkitje në dhjetëra shtëpi në qytetet Alicante, Murcia, Almeria dhe Granada. Policia nuk i bën të ditur identitetet e shqiptarëve, por shton se ka shoqëruar dhe katër persona që kishin marrë në mbrojtje për të fshehur gangsterët shqiptarë. Hetimi filloi në fund të vitit të kaluar, kur policia spanjolle mësoi për ekzistencën e një bande aktive të organizuar, që po bënte terror me grabitje të njëpasnjëshme. Banda vepronte kryesisht në zonat Torrevieja dhe Orihuela, ku ata punonin si roja nate në disa kompani të njohura. Policia deklaron se për këtë arsye bastisjet nga ana e shqiptarëve kryheshin kryesisht natën me automjete. Ata takoheshin çdo ditë në një bar, më pas vishnin rroba të errëta dhe grabisnin sipas planit. Mallrat e vjedhura shiteshin kryesisht në tregun e zi ose dërgoheshin në Shqipëri. Policia dyshon se mbi të arrestuarit rëndojnë më shumë se 100 vepra të ndryshme penale. Në banesat e tyre, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale pajisje elektrike, kompjuterë, dokumente zyrtare, para dhe bizhuteri.
#